Arbëri

PDK-ja do të ankohet kundër anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të ankohet në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulim të zgjedhjeve për kryetar të Hanit të Elezit.

PZAP-ja njoftoi të enjten se e ka pranuar si të bazuar ankesën e kryetarit të kësaj komune, Rufki Suma, i cili ka thënë se simpatizantët e PDK-së kanë bërë presion mbi qytetarët e Hanit të Elezit që të votojnë këtë subjekt politik.

Në zgjedhjet e së dielës, Mehmet Ballazhi fitoi 50.98 për qind duke dalë fitues qysh në rund të parë. Suma, pas 14 vitesh si kryetar, mori 42.47 për qind të votave.

Pas vendimit, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, e ka cilësuar të jashtëligjshëm vendimin e fundit të PZAP-së.

“Sot PZAP-i ka marr një vendim, me të cilin janë anuluar votimet për shkak se ata pretendojnë se ka pasur keqpërdorime. Si PDK jemi të çuditur me këtë qasje të paargumentuar. Mendojmë se nuk ka pasur fakte për të ardhur deri te një vendim i tillë në Komunën e Hanit të Elezit. Në këtë komunë zgjedhjet kanë qenë shumë të mira dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga vëzhguesit ndërkombëtarë, as nga OJQ-të. E vë në dyshim dhe anashkalon vullnetin e qytetarëve dhe ky është thelbi i problemi sepse kemi të bëjmë me mos respektimin e vullnetit të qytetarëve. Ajo çfarë dua të shtoj se edhe kur e ka bërë këtë, në mënyrë të padrejtë PZAP-i e ka bërë pas afatit dhe është e paligjshme dhe duhet të refuzohet. Si PDK për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Hanit të Elezit ne do të ankohemi në Gjykatën Supreme”, ka thënë Abdullahu, raporton Ekonomia Online.