Arbëri

Nis seanca ndaj Haradinajt dhe Gucatit

Ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati. Sot pritet të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të parë, derisa gjykimi në këtë rast ka nisur më 7 tetor.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe hakmarrje e shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ditë më parë, prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale, Jack Smith, ka thënë se ekziston një grup i vogël por i fuqishëm i njerëzve në Kosovë, që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë.

Përmes një komunikate për media, Smith ka thënë se ky grup njerëzish do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar gjykatën.

“Ekziston një grup i vogël por i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë dhe që do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar atë në një përpjekje të kotë për të shpëtuar një përshkrim të rremë se asnjë ushtar i UÇK-së nuk kreu krime gjatë luftës”, ka thënë Smith.

Smith ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj i përkasin këtij grupi dhe sipas tij, ata denigrojnë këdo që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-në duke i quajtur “spiunë”, “bashkëpunëtorë”, dhe “tradhtarë” që kanë “tradhtuar” bashkëpatriotët e tyre.