Arbëri

Në Gjilan VV-ja e para, në Podujevë LDK-ja

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të dalë e para në komunën e Gjilanit, me kandidatin e saj Alban Hyseni.

Pas numërimit të 95.36 për qind të votave, Hyseni ka 17.693 vota apo 44.41 për qind ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka 17.517 vota apo 43.97 për qind. E treta është kandidatja e PDK-së, Leonora Morina-Bunjaku. Me 3.227 vota apo 8.10 për qind.

Në Gjilan do të ketë balotazh më 14 nëntor.

Ndërkohë në Podujevë kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, ka arritur të marrë një epërsi ndaj kandidatit të VV-së, Shpejtim Bulliqi.

Hyseni ka 16.451 vota apo 44.30 për qind, kurse Bulliqi ka 16.338 vota apo 44 për qind. Kanë mbetur vetëm edhe 1 për qind të votave për t’u numëruar.

Edhe në këtë komunë do të ketë balotazh.

Burim Berisha i LDK-së nuk ka arritur të fitojë pa balotazh në Fushë-Kosovë për vetëm disa vota. Berisha mori 7842 vota apo 49.96 për qind kundrejt 3.977 votave apo 25.33 për qind të kandidatit të VV-së, Enver Bajçinca, që nënkupton se do të ketë balotazh në këtë komunë.

Në Prishtinë, kur janë numër 99.52 për qind e votave, Arben Vitia i VV-së është i pari me 35.243 vota apo 42.26 për qind, ndjekur nga Përparim Rama i LDK-së me 24.474 vota apo 29.34 për qind. Uran Ismaili ka 18.023 vota dhe 21.61 për qind, ndërsa Daut Haradinaj ka 3.850 vota apo 4.62 për qind.

Sipas rezultateve preliminare, Lista Serbe ka fituar në 9 prej 10 komunave, sa ishte në garë. E dyta është PDK-ja e cila në raundin e parë fitoi në Skenderaj, Ferizaj, Mitrovicë e Hani i Elezit.

LDK-ja ka fituar në Pejë e Lipjan.

AAK-ja me kandidatët e saj ka arritur ta mbajë pushtetin në Suharekë dhe Deçan.