Bekim Jashari është ankuar se në zgjedhjet për kryetar të Skenderajt ka pasur blerje votash teksa ka paralajmëruar ankesë zyrtare.
Në Skenderaj, kryetari aktual Jashari është i dyti me rreth 40 për qind të votave, kundrejt Fadil Nurës që ka mbi 56 për qind pas numërimit të 54 për qind të votave.
Jashari ka thënë se ekipi i tij ka raportuar për fletëvotime të pavulosura në rreth 11 qendra të votimit, ndërsa ka thënë se ka pasur blerje votash me sistemin e “trenit bullgar”.
“Të nderuar qytetarë, Mbështetja juaj në çdo takim, sondazhet e Exit Polleve në njërën anë dhe rezultati zgjedhor sipas KQZ-së, është me mospërputhje të mëdha. Gjatë ditës kemi raportuar për parregullsi të mëdha si blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit. Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si "treni bullgar". Po ashtu mungesa e komisionerëve nga subjekti jonë politik ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë votën tonë. Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën. Pas mbledhjes së fakteve të shumta për manipulime do të kërkojmë drejtësi për manipulimet e bëra në këto zgjedhje në Skenderaj. Ne do të presim numrin e votës se fundit për të dalur me njoftimin e ri”, ka shkruar ai në Facebook.