Arbëri

Jashari akuzon KQZ-në, PZAP-në dhe Supremen se heshtën para manipulimeve të votave në Skenderaj

Kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari, ka akuzuar KQZ-në, PZAP-në dhe Gjykatën Supreme, se kanë heshtur para manipulimeve me vota, që siç pretendon ai, kanë ndodhur në këtë komunë në zgjedhjet e 17 tetorit.

Jashari përmes një statusi në Facebook reagoi pas certifikimeve të rezultateve nga KQZ-ja, ku potencoi se blerja e votave, presioni i zyrtarëve të caktuar politik mbi votuesit dhe manipulimi i procesit zgjedhor përmes sistemit të “trenit bullgare”, sipas tij, ishin krejt normale për institucionet e lartpërmendura.

“Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetar komune me gjithë ato parregullësi e manipulime që kanë ndodhur në komunën tonë. KQZ-ja, PZAP-ja dhe Gjykata Supreme heshtën para manipulimeve, duke mos u marrë fare me pasojat e shkeljeve që edhe vet i kanë identifikuar. Blerja e votave, presioni i zyrtarëve të caktuar politik mbi votuesit dhe manipulimi i procesit zgjedhor përmes sistemit të "trenit bullgar" për këto institucione në fjalë ishte normale dhe ju e dini përse”, ka shkruar Jashari.

Megjithatë, ai falënderoi të gjithë qytetarët që i besuan votën projektit të tij.

Jashari u mposht nga Fadil Nura i PDK-së në garën për të udhëhequr me komunën e Skenderajt për katër vitet e ardhshme. Ai mori 8.821 vota apo 40.64 për qind, kundrejt 12.586 votave apo 57.99 për qind të Nurës.

Pas këtij rezultati, Jashari çoi disa ankesa në PZAP e më pas në Gjykatën Supreme për manipulime me vota, ankesa të cilat u hodhën poshtë nga këto dy institucione.