2 perditesime
23:21

Hasani: Kosova duhet të kërkojë njohjen nga Serbia në këmbim të Asociacionit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se Kosova duhet të jetë e prerë në raport me Serbinë.

Hasani ka thënë se Kosova duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se nëse ajo e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë ajo duhet ta njohë shtetin e Kosovës.

“Ti po do Asociacion, unë dua prej teje njohje ndërkombëtare. Pikë. Çdo rrugë tjetër është rreth vicioz dhe e bën Kosovën konflikt të ngrirë. Nëse tash nuk e qartëson, atëherë do të vjen në një konflikt të ngrirë”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, serbët e kanë problem çdo gjë rreth Kosovës, sepse siç ka thënë, është një mit i çmendur që është krijuar me shekuj.

“Ata s’kanë alternativë. Nuk është këtu shumë problemi i Rusisë, por i projektit imperial kinez. Këtu mund të ndodhë një konflikt specifik i ngrirë, si një zorrë qorre e Evropës që nuk luan asnjë funksion por vetëm që nuk e lejojnë që të shpërthejë, pasi që mbyt”, është shprehur ai.

 

23:14

Hasani: Asociacioni, vetëm si pjesë e marrëveshjes finale

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se çështja e kompetencave ekzekutive në marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një mit, që është krijuar nga joprofesionistët.

Hasani në një intervistë në Interaktiv, tha se në aktgjykimin e Kushtetueses në lidhje me këtë marrëveshje, nuk përmendet askund fjala kompetencë ekzekutive.

Hasani vlerëson se për Kosovën do të ishte shumë mirë që çështja e Asociacionit të përfshihet në marrëveshjen finale me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.

“Askund nuk e përmend Kushtetuesja fjalën kompetencë ekzekutive në aktgjykimin e saj. Kjo është një mit që është krijuar nga laikët, nga një komunitet që s’e ka profesion. Nuk gjendet në aktgjykim asnjë fjalë e tillë”, ka thënë ai. “Lehtësuesit të dialogut duhet t’i thuhet se këtë punë nuk guxon askush ta bëjë dhe se duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Ne i nxjerrim kërkesat tona, si të zhdukurit e të tjerat dhe kështu të bëhet pjesë e procesit gjithëpërfshirës. Nëse vazhdohet si me tabela, procesi do të bëhet jo teknik, por stërtenik dhe e bën Kosovën konflikt të ngrirë”.

Kohëve të fundit është rritur presioni mbi Qeverinë e Kosovës për të krijuar Asociacionin, që buron nga Marrëveshja e vitit 2013 e firmosur në Bruksel. Kjo Marrëveshje, në shumë pika të saj ishte shpallur anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

 

23:05

Hasani për Asociacionin: Me ndërrimin e qeverive, s’mund të zhvlerësohen detyrimet ndërkombëtare

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se Kosova ka një detyrim ndërkombëtar i cili është ratifikuar në Kuvend në vitin 2013.

Sipas tij, vendimi i 2013-ës është marrë ligjërisht sipas ligjit ndërkombëtar dhe nuk mund të zhvlerësohet me ndryshime të brendshme politike. Sipas tij, kështu është provuar edhe nga Bashkimi Sovjetik duke u munduar të zhvlerësojë vendimet e Rusisë cariste.

Hasani në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ekzistojnë disa rregulla mbi trashëgimin e shteteve që nuk mund të ndryshojnë. Sipas tij, kur ndërrohen qeveritë nuk mund të ndryshohen detyrimet ndërkombëtare.

“Palët duhet të ulen dhe secila t’i nxjerrë temat apo hallet e tyre. Serbia thotë se duhet të formohet Asociacioni dhe kjo tash mund të zgjidhet me proces politik. Në finale duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.