1 perditesime
16:40

MPB thotë se për 6 muajve janë shkatërruar rreth 26 grupe kriminale

Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se Policia e Kosovës brenda 6 muajve ka shkatërruar rreth 26 grupe kriminale, ku kanë qenë të përfshirë mbi 200 persona.

Shefja e kabinetit të ministrit të MPB-së, Jeta Tela, tha se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet ndër prioritetet e tyre kryesore.

Tela e cila ishte e pranishme në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL në mungesë të ministrit Xhelal Sveçla, tha se brenda 6 muajve kanë arritur të kryejnë shumë punë.

“Për 6 muaj, unë mendoj që është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe. Nga statistikat e fundit që i kemi marrë nga Policia e Kosovës, është arritur që brenda periudhës 6 mujore me u shkatërru diku 26 grupe kriminale, dhe kanë qenë të përfshirë rreth 217 persona. Dhe, këtu kemi të bëjmë edhe me shqiptarë, serbë, shtetas të Shqipërisë, të Maqedonisë, e pjesa më e madhe janë qytetarë të Republikës të Kosovës. Janë 10 grupe të krimit të organizuar, të cilat janë luftuar vetëm gjatë periudhës 6 mujore, kemi 8 grupe për droga, 6 për krime ekonomike, për të cilat kanë ndodhur arrestime gjatë këtij 6 mujori dhe ka edhe grupe tjera, përfshirë edhe trafikimin e qenieve njerëzore”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se prej ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në ekzekutiv dhe ministrit Sveçla në krye të MPB-së, janë ballafaquar me një mori sfidash, e ndër to edhe ato në fushën e administratës publike.

Duke folur për mungesën e materialit për letërnjoftim, shefja e kabinetit të ministrit Sveçla tha se kanë hasur në tenderë që nuk i kanë plotësuar kushtet për miratim, e si rrjedhojë theksoi se i kanë anuluar.

Ajo sqaroi edhe njëherë se është mungesa e mikroçipave në mbarë botën, që prolongoi pajisjen me dokumentacion.

“Ne kemi arritur që me tenderin e ri, që është negociu, kursimi mujor të jetë 115 mijë e 208 euro. Për një vit, vlera e mjeteve që kursehen vetëm për mirëmbajtje është 1 milion e 382 mijë e 520 euro. Përqindja e kostos së mirëmbajtjes, me tenderin e ri, i bie me qenë diku 92 përqindje më e ulët sesa kontrata e fundit”, tha ajo.

13:52

MPB-ja thotë se kanë hasur në parregullsi në dhënien e tenderëve, tregon për përgatitjet për Interpol

(EkonomiaOnline) - Prioritet për Ministrinë e Punëve të Brendshme mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit, kështu u tha në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL për të diskutuar për realizimin e Planit të Punës së Qeverisë për periudhën mars-shtator 2021, raporton Ekonomia Online.

Në mungesë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, prezente ishte Jeta Tela, shefja e kabinetit të ministrit të MPB-së.

Tela tha se kanë hasur në tenderë që nuk i kanë plotësuar kushtet për miratim, e si rrjedhojë e kësaj i kanë anuluar.

“Pas marrjes së mandatit në bashkëpunim me zyrtar i kemi analizuar më në thellësi. Si Qeveri mbeten prioritete lufta kundër krimit dhe korrupsioni. Sfidat tjera që jemi përballur kanë të bëjnë edhe me administratë publike e cila është e stërmbushur. Brenda 6 muajve kemi arritur të kryejmë mjaft punë. Po përmend disa arritje kyçe. Janë 10 grupe krimit të organizuar. Dhe do të përkushtohemi të ketë aksione të tjera ndaj krimit dhe korrupsionit. Ky tender që ka qenë prej 20 milionë eurove kemi kërkuar sqarime pse në kosto kaq të madhe dhe është marrë vendimi mu anulua. Për një vit vlerat që kursehen për mirëmbajtje është mbi 1 milion”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se pranimi i Kosovës në Interpol është çështje votash, e jo mungesë e përgatitjes së Policisë së Kosovës.

“Pranimi në Interpol është çështje votash. Ky grup do të jetë prej ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë këtij 6 mujori kemi arrit t’i kemi të nënshkruara edhe dy marrëveshje në Europol dhe marrëveshja për nënshkrimin e informatave”, tha Tela.