5 perditesime
11:18

Rama insiston se Ballkani i Hapur është rruga e duhur për Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur është proces që duhet realizuar, për faktin se sipas tij, kjo do e përshpejtojë procesin e Berlinit. Ai ka theksuar se me veprimet e fundit të serbëve në veri, është vërtetuar se Ballkani i Hapur duhet të ndodhë.

“Unë jam i bindur edhe më tepër sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në të shkuarën, dhe t’i marrim vetes maksimumin, si shqiptarë dhe si rajon. Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu nga klima që krijohet nga Ballkani i Hapur. Kjo nuk është asgjë pos marrja në zotërim të procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij. Duke mos pritur që të mbahet një herë në vjet. Padiskutim që Kosova e ka të nxehtë plagën dhe se historia është shumë e afërt, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje. Kosova e ka fituar luftën”, ka thënë ai para mediave.

“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh familja dhe gjaku, me fqinjin që lidhë pasi e ke aty”.

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një nismë të quajtur "Ballkani i Hapur", në të cilën refuzuan të ishin pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. 

10:53

Rama: Serbia po bën manovra teatrale ushtarake në veri, Kosova ka të drejtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtë plotësisht në çështjen e reciprocitetit të targave me Serbinë, duke i dhënë mbështetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, Rama theksoi se zgjidhja e vetme e kësaj çështje është dialogu.

Rama tutje tregoi se edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kërkoi dhe do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet.

“Më vjen mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas sesionit të 76-të të OKB-së, ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë tona atje. Një nga përparësitë e Shqipërisë, si anëtare e plotë e OKB-së, do të jetë nxitja e njohjes nga të gjithë, si përpjekje që edhe formalisht të njihet Kosova. Në radhë të parë, Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq për manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë, veriun e Kosovës, sikur pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar apo nga fantazmat e ushtrisë së luftës së mundur 20 vite më parë, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar askush, iu paguhen faturat e energjisë elektrike dhe fatkeqësisht këto manovra risjellin në skenë vandalizmin e tyre, si djegia e qendrave zyrtare që dëmton vetëm serbët e Kosovës. Aplikimi i reciprocitetit është jo vetëm një normë legjitime e Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dyja Qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, qysh nga çasti i parë që është shfaqur ky konflikt. Kosova është e drejtë dhe pikë. Duhet bërë kujdes me njësinë speciale që të mos kthehet një problem mes Kosovës dhe miqve ndërkombëtar. Shqipëria e ka bindjen se zgjidhja e vetme është dialogu. Forca e ushtarakëve duhet të ia lëmë forcën e arsyes dhe dijes. I takon kryeministrit dhe Qeverisë se si ta trajtojnë stratetigjikisht këtë situatë delikate, por është një mundësi për të treguar se duhet dialog i barabartë”, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shtoi se kanë arritur dakordësim që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve më herët.

“Marrëdhëniet tona duhet të shkojnë në një nivel tjetër”, përfundoi ai.

Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk ka pasur bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, duke shtuar se është krah Kosovës.

I pyetur për çështjen e Ballkanit të Hapur, Rama ka thënë se ka pasur shumë mesazhe për shkak të situatës së krijuar që kanë thënë se ‘po tani a je i bindur se nuk bëhet Open Balkan me Serbinë’, por Rama ka thënë se tani është më i bindur edhe më shumë se duhet bërë.


Kurti: Nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është i informuar që sot do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri, pas raportimeve në disa media.

“Ne biseduam me zyrtarin e KFOR-it për gjendjen dhe situatën në veri. Vendimet që i marrim s’janë të pastra politike. Unë si kryeminstër dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime politike, por nga informatat që na vijnë nga atje, pasi KFOR-i qëndron për të kontrolluar situatën. Jemi të hapur për bisedime, kam biseduar edhe me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg. Unë nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri. Jemi për t’iu kthyer bisedimeve. I ftoj qytetarët për qetësi, sepse institucionet po e kryejnë punën e tyre”, u shpreh Kurti.

10:42

Kurti: Kosova dhe Shqipëria kanë potencial për t’i realizuar projektet e përbashkëta

Sanie Jusufi

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mandatet i kanë marrë në kohën me plotë sfida duke përmendur pandeminë.

Sipas tij përtej sfidave dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projekte të përbashkëta.

Kurti ka deklaruar se dy vendet duhet të angazhohen që tregu të jetë sa më unik, dhe që qytetarët, kapitali e malli të lëvizin lirshëm.

“Nëse ka vende që kjo të bëhet sa më shpejt, janë Kosova dhe Shqipëria. Biseduam për të gjitha fushat për qeverisjen tonë të mirë, e shohim si të rëndësishme koordinimin gjithandej. Biseduam për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës bëri me dije se janë dakorduar për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilën do ta udhëheqë Gentian Sala.

Kurti ka thënë se janë dakorduar që mbledhja mes dy qeverive të mbahet në mes të nëntorit.

09:07

Rama pritet nga Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur me ceremoni nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë”.

Në orën 10:20 pritet të adresohen për media.

08:41

Rama mbërrin në Prishtinë

Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sapo ka arritur kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Rama është pritur nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Kryeministri këtë vizitë në Kosovë po e zhvillon pas qëndrimit të tij në ShBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së.

Në bazë të agjendës kryeministri shqiptar në orën 08:50 do pritet me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Skënderbeu”.

Ndërsa, në orën 10:20 do adresohen për media.

Në kuadër të kësaj vizitë një ditore në Kosovës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do takojë edhe liderët e opozitës në vend.

Rama po e zhvillon këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë. /KSP/

07:59

Rama sot në Kosovë, mbërritja në ora 08:30

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot do të jetë në Kosovë, ku do të zhvillojë takime njëditore. Ai do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, ku pritja ceremoniale do të bëhet në ora 08:50, dhe me liderë të partive.

Mbërritja e tij do të bëhet në ora 08:30.

"Ora 09:10-11:40, takimi i dy kryeministrave dhe anëtarëve të kabineteve qeveritare. 10:50-11:30 takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, 11:40-12:10, takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, 12:20-12:50, takim me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj”, thuhet në agjendën e takimeve.

“13.30 – Drekë zyrtare me pjesëmarrjen e dy delegacioneve dhe prof. Rexhep Qosja (Vendi: Amazona Resort, Milloshevë) Përpara drekës do të mbahet një ceremoni e shkurtër për dekorimin e Rexhep Qosjes, ku kryeministri Rama i dorëzon medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes”, me rastin e 85-vjetorit të lindjes së tij.”