Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillojë vizitë të dielën në Tiranë, ku do të takohet me homologun e tij, Edi Rama dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
Derisa nuk është bërë e ditur koha kur do të takohet me Ramën, Kurti do të pritet nga kryekuvendarja shqiptare nga ora 11:30.
Në takimin midis Kurtit dhe Ramës do të jetë marrëveshja e panënshkruar në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb.
Një tjetër dakordim është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.
Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër më 18 mars, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. /KSP