3 perditesime
15:41

Simiq: Dikush ka qëllim që të shkaktohen trazira në Veri

Mehmet Krasniqi

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, nga pika kufitare në Jarinjë ka thënë se e gjitha ajo çfarë ka ndodhur sot ka qenë e qëllime për të shkaktuar trazira.

Simiq ndër të tjera deklaroi se edhe në takimin që sapo përfundoi mes Vuçiqit dhe Lajçakut është biseduar rreth asaj që ka ndodhur sot në Jarinjë.

“Qytetarët duhet të qëndrojnë të qetë, mos me ra pre e provokimeve që nuk po dihet se kush i ka nxit. Dikush ka qëllim që të shkaktohen trazira në Veri, ju jeni gazetarë dhe e kuptoni këtë më shumë se shumë të tjerë. Me gjasë ka përfunduar takimi mes Vuçiq dhe Lajçak, është biseduar aty edhe për këto tensione, ju po e shihni që personat janë të revoltuar askush nuk po ka qejf të qëndrojnë këtu në këto barrikada. Po e shihni që Policia po qëndron pranë shtëpive familjare. Sidoqoftë ne e porosisim Brukselin dhe të tjerët se duam të jetojmë një jetë normale siç ka qenë jeta para vendimit të sotshëm. Duhet m’u zgjidh të gjitha problemet mes Prishtinës dhe Beogradit apo mes shqiptarëve apo serbëve. Kemi të drejtë për protestë paqësore por po ashtu njerëzit kanë nevojë për lëvizje të lirë”, u shpreh Simiq para gazetarëve.

14:46

Dhjetëra pjesëtarë të Njësisë Speciale mbërrijnë në Jarinjë

Mehmet Krasniqi

Në pikën kufitare Jarinjë kanë mbërritur rreth 10 pjesëtarë shtesë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Policët që erdhën duket se i kanë zëvendësuar kolegët që kanë qenë nga mëngjesi. Largimi i tyre në drejtim të kolonës së automjeteve, është shoqëruar me britma të serbëve qe po qëndrojnë në krye të kolonës së automjeteve.

Gjatë tërës kohës në vendngjarje kanë qëndruar ekipe të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.

 

12:14

Rakiq: Populli është i frikësuar, ky nuk është aksion, është reaksion

Mehmet Krasniqi

Një grumbull qytetarësh po vazhdon të qëndrojë rreth 300 metra larg pikës kufitare të Jarinjës. Afër tyre janë të vendosura disa autoblinda të Policisë së Kosovës, derisa situata është nën monitorimin edhe të KFOR-it.

“Kemi tentuar të flasim me Miroslav Lajçakun. Kemi folur edhe me Beogradin, ky nuk është aksion por reaksion, populli është i frikësuar. Bisedimet nuk janë tavolinë suedeze për të marrë çka do”, ka thënë kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Foto: Driton Paqarada/KOHA

09:56

Serbët bllokojnë rrugën në Jarinjë, Policia e Kosovës i fton të largohen

Forca të shtuara të Njësisë Speciale të Kosovës janë vendosur sot në pikat kufitare me Serbinë në veri të vendit, për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit për targat.

Në pikën kufitare të Jarinjës, serbët janë grumbulluar dhe kanë bllokuar rrugën me kamionë.

Sipas një video të “KosovoOnline”, dëgjohet teksa një pjesëtar i Policisë së Kosovës i thotë serbëve që “protestën nuk ua ndalon askush, mirëpo rruga duhet të lirohet”.

Igor Simiq nga Lista Serbe i ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të mos bien pre e provokimeve, siç pretendon, të Prishtinës.

"Ne i bëjmë thirrje qytetarëve tanë të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve, sepse ky është një provokim i Prishtinës, ne supozojmë se serbët do të kufizoheshin në lirinë e tyre të lëvizjes duke ia konfiskuar targat nga Serbia", deklaroi Simiq.