Edhe nëse duan partitë politike të bëjnë fushatë me numër të madh të të tubuarve, Policia e Kosovës bazuar në Ligjin mbi Pandeminë nuk do ta lejojë këtë. Kështu afërsisht mund të deshifrohet Plani Operativ i Policisë së Kosovës-Drejtorisë Rajonale të Gjakovës për monitorimin e fushatës zgjedhore.
"Kosova që nga dje ka hyrë në fazën e fushatës zgjedhore, për këtë arsye Drejtoria rajonale e policisë në Gjakovë ka përpiluar planin operativ të veprimit lidhur më përcjelljen dhe mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, me theks të veçantë respektimin e vendimit mbi mosgrumbullimin e qytetarëve – simpatizantëve në masa të mëdha jashtë asaj të lejuar, në objekte të mbyllura apo të hapura", thuhet ndër të tjera në Planin Operativ.
"Policia e Kosovës dhe inspektorët, bazuar në Ligjin mbi Pandeminë, janë në veprim 24 orë dhe apelojmë tek qytetarët dhe partitë politike të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, t'i respektojnë vendimet, sepse tolerimi do të jetë zero", ka thënë përgjegjësi i Zyrës për Informim i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.
Ai ka bërë me dije për KOHËN se policia është e vendosur në zbatimin e ligjit, edhe përballë partive politike.
Gjurkaj ka tërhequr vëmendjen se partitë janë të obliguara me ligj që t'i paraqesin të gjitha tubimet në polici dhe, sipas tij, ato e kanë bërë këtë dy ditët e fundit.
Gjithashtu ai ka bërë me dije se në fillim të kësaj fushate në rajonin e Gjakovës nuk është evidencuar ndonjë shkelje e ligjit nga partitë politike.