KFOR-i ka njoftuar për rritje të përkohshme të prezencës së trupave, ndërsa thotë se kjo është si pjesë e një stërvitje të quajtur “OPREH Level II”, që do të mbahet nga fundi i gushtit deri në shtator.
Nga KFOR-i është thënë se një kontingjent i vogël nga Britania e Madhe ka arritur në Kosovës më 13 gusht me detyrën për të vendosur infrastrukturën e nevojshme për të pritur një kontingjent më të madh britanik që do të marrin pjesë në stërvitje.
Pikërisht ushtarët britanikë janë parë në hyrje të kampit të “Bechtel-enkas” ku po strehohen refugjatët afganë.
KFOR-i ka njoftuar se “OPREH Level II” është një stërvitje rutinore në përkrahje të misionit të KFOR-it. Ndodh çdo dy vjet.
“Në stërvitje përfshihen qindra trupa nga shtetet e NATO-s që integrohen në KFOR, si pjesë e Forcave Operacionale Rezerviste të KFOR-it. Forca rezerviste shtesë të NATO-s mund të ftohen në rast të ndonjë ngjarje të papritur e ku KFOR-i ka nevojë për ndihmë për të mbajtur ambientin e sigurt dhe lirinë e lëvizjes për gjitha komunitetet në Kosovë, si pjesë e rezolutës 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Stërvitja do të mbarojë më 5 shtator. Në stërvitje do të përfshihen skenarë të ndryshme, si turma, trazira, stërvitje për liri të lëvizjes operacione të sigurimit. Në përfundim të stërvitjes gjitha forcat shtesë do të largohen nga Kosova dhe do të kthehen në vendet e tyre”, thuhet nga KFOR-i.
KFOR-i ka njoftuar se më 5 shtator trupat do të përformojnë në stërvitje direkte në fushën ajrore në Gjakovë.
“Gjatë stërvitjes komunitetet lokale do të shohin rritje të numrit të lëvizjes së veturave, ku po ashtu do të përfshihen vetura të blinduara. KFOR-i do të marrë gjitha masat e nevojshme për të zbutur gjitha shqetësimet që mund t’i shkaktohen popullatës”, thuhet nga KFOR-i.