Për një vit fushatë, kryesore në botë ishte thirrja për t’u izoluar në shtëpi për shkak të rrezikut nga virusi COVID-19, pandemi e shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Por kjo nuk vlen për shumë familje nga komunitetet joshumicë që kanë mungesë strehimi e detyrohen të jetojnë në objekte të papërshtatshme, ku mungojnë kushtet elementare. Në hulumtimin e realizuar nga KOHA, në periudhën prej gjashtë muajsh, janë identifikuar problemet me strehim të këtij komuniteti dhe masat e ndërmarra nga institucionet gjatë pandemisë. Po ashtu janë sjellë modele të suksesshme që janë aplikuar në vendet e tjera gjatë pandemisë për adresimin e kësaj problematike
Pjesa e parë e hulumtimit:
Kufizimet
Modele të tipit si ky i Kalifornisë, ku gjithë të pastrehëve u sigurohet banim i përkohshëm janë konsideruar edhe në Kosovë, por ka kufizime për shkak të mungesës së kapaciteteve.
“Një problem i theksuar në komunën tonë është tek familjet që nuk kanë pronë dhe janë të pastrehë. Dhe Komuna nuk ka pronë për ndërtimin e objekteve të banimit social kolektiv”, ka thënë Ali Topalli.
Aktualisht fondet për të pastrehët vështirë të sigurohen për shkak parashikimeve për një recesion ekonomik. Kësisoj, banimi i përhershëm për të pastrehët mund të kufizohet nga mungesa e kapaciteteve dhe mjeteve financiare, që të adresohet drejt dhe në afat sa më të shpejtë kjo problematikë.
Për një vit fushata kryesore në botë ishte thirrja për t’u izoluar në shtëpi, për shkak të rrezikut nga virusi COVID-19, pandemi e shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Por kjo nuk vlen për familjen e Hamzës dhe bashkëkombësit e tij që e kalojnë ditën duke kërkuar nëpër kontejnerë.
“Këta po ruhen prej sëmundjes e na nëpër bërllok. Janë tut me ardhë me na këqyrë e me folë me neve, s’kemi pas kujt me ia qa hallet”, thotë Hamza.
Fushë-Kosova është komuna e vetme që për menaxhimin e situatës me pandeminë ka themeluar nënshtabin e komuniteteve, i cili udhëhiqet nga nënkryetari për komunitete, Qerim Gara. Ai ka treguar për veprimet që kanë ndërmarrë gjatë muajve të pandemisë për t’i dalë në ndihmë këtij komuniteti.
“Pas krijimit të shtabit kemi ndarë mjete higjienike, pako ushqimore, miell. Në këtë drejtim na ka ndihmuar edhe komuniteti ynë që gjendet në diasporë. Po ashtu, shërbimet shëndetësore u janë ofruar sikur gjithë të tjerëve. E mira është se pak persona kanë qenë të infektuar. Ka dashtë Zoti, se kush nuk ka mundur me na shpëtu prej virusit”, ka thënë Gara.
“Nevojat e komunitetit tonë janë të shumta, por kryesorja është mungesa e punësimit. 90 për qind janë të papunë, ky është shqetësimi kryesor”.
Sa i përket strehimit, edhe Gara problem kryesor e sheh mungesën e pronës.
Pasojat e mungesës së strehimit

Gjatë pandemisë Qeveria e Kosovës ka nxjerrë dhjetëra vendime për menaxhimin e COVID-19, por në asnjërin prej tyre nuk janë paraparë masa për të pastrehët dhe ata që jetojnë në kushte të vështira.
Veç mungesës së punësimit, pas mbylljes disajavore problematike ka qenë ndjekja e mësimit online të nxënësve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
“Si të mësojnë online fëmija kur nuk kemi pasur pajisje. As që na ka pyetur dikush nëse munden fëmija me u lidh në internet për me ndjekë mësimin”, shprehet Shpejtim Hamza, teksa shton se e ka vështirë t’i përmbushë kërkesat shkollore për gjashtë fëmijët e tij.
Për gjendjen e vështirë dhe nivelin arsimor të këtij komuniteti kanë folur edhe përfaqësues nga organizata joqeveritare “Roma Versitas Kosovo (RVS)”.
“Është veçse e njohur që komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në komunën e Fushë-Kosovës jetojnë në gjendje të rëndë socio-ekonomike dhe kjo ndikon negativisht dhe në procesin e arsimimit të këtyre komuniteteve. Numri më i madh vajzave nuk shkollohen fare dhe kjo pastaj ndikon që analfabetizmi të jetë zinxhir nga gjenerata në gjeneratë”, thotë Burhan Gashi, koordinator i programeve në RVS. Sipas tij, mësimi online nuk ka qenë fare i lehtë për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët për shkak të gjendjes se rëndë ekonomike.
“Gjatë kohës së pandemisë RVK mbi çështjen e mbajtjes së mësimit online me donatorët e saj (Roma Education Fund, Komuna e Prishtinës) ka bërë shpërndarjen e laptopëve tek studentët (18 studentë) dhe nxënësit e shkollave të mesme me ndihmën e Roma Education Fund. Po ashtu pesë tableta/ipad janë shpërndarë nga Komuna e Prishtinës”, ka shtuar Gashi.
Ai thotë se “RVK Kosovo” është e njoftuar për gjendjen e shumë familjeve në Fushë-Kosovë dhe mënyrën se si ato jetojnë, ngase në stafin e tyre ka personel që vjen nga kjo komunë.
“Misioni dhe vizioni i ‘Roma Versitas Kosovo’ është i lidhur me gjendjen e studentëve të tri komuniteteve dhe jo në mënyre direkte me gjendjen socio-ekonomike, megjithëkëtë RVK mendon që kjo çështje është barrë mbi institucionet relevante dhe përfaqësuesit politikë të këtyre tri komuniteteve”, është shprehur ai.
Raporte të shumta mbi gjendjen e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian ndër vite ka nxjerrë edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë. Zyrtarë të këtij misioni thonë se janë të vetëdijshëm për situatën në Fushë-Kosovë, por edhe rajonet e tjera në Kosovë. OSBE-ja ka mbështetur Strategjinë për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë e Kosovës 2017-2021”, themeluar nga “Zyra e Qeverisjes së Mirë”, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Duke njohur situatën e rëndë të strehimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës- Strategjia renditi çështjen e strehimit si një nga katër fushat prioritare të këtij dokumenti strategjik.
“Ne punojmë ngushtë me institucionet, OJQ-të, komunitetet joshumicë me qëllim që të forcojmë respektimin e së drejtës së pronës. Kësisoj, pasi kjo situatë ka prekur në veçanti të kthyerit në Kosovë, kemi vërejtur se ndërsa shumë njerëz që jetojnë në këto lagje nuk kanë tokë për të ndërtuar shtëpitë e tyre, ata kanë edhe nevoja urgjente për qasje në ujë të pijshëm, si dhe trajtim adekuat të ujërave të zeza”, ka thënë Edita Buçaj nga Zyra për Informim e OSBE-së.
Ndërkaq vitin e kaluar OSBE-ja i ofroi mbështetje Zyrës për Qeverisje të Mirë për ta vlerësuar zbatimin e strategjisë.
“Vlerësimi do të fokusohet në nivelin komunal dhe do të raportohet mbi efektivitetin e strategjisë dhe mekanizmat e vendosur për të adresuar nevojat e përfituesve”, ka thënë Buçaj.
“Ne besojmë se ka pasur progres gjatë viteve të fundit dhe situata është më mirë sa i përket strehimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës. Sidoqoftë, është e qartë se duhet bërë më shumë dhe situata nuk është e kënaqshme. Misioni i OSBE-së do të vazhdojë t’i ndihmojë institucionet dhe të gjitha komunitetet në adresimin e mëtejshëm të këtyre çështjeve”, ka përfunduar Buçaj.
Në përgjithësi, përhapja e koronavirusit COVID-19 ka ndikuar tek familjet dhe ndërmarrjet në aspekte të ndryshme në Kosovë.
Për të kuptuar ndikimin në ekonomitë familjare dhe ndërmarrje, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka bërë një vlerësim të shpejtë mbi ndikimin socio-ekonomik të pandemisë COVID-19 dhe efektivitetin e masave reaguese të menjëhershme.
Sipas të dhënave të publikuara në qershor 2020, më shumë se gjysma e të anketuarve deklaruan se kanë hasur në vështirësi për t’iu qasur një sërë shërbimesh bazike sociale dhe shëndetësore. Rreth 50 për qind e të anketuarve pohuan se kishin probleme me sigurimin e ushqimit. Madje edhe më shumë - 56 për qind, kishin vështirësi në sigurimin e pajisjeve mjekësore për mbrojtje personale. Më shumë se 30 kanë pasur vështirësi për të siguruar produkte higjienike dhe sanitare dhe rreth 20 për qind e të anketuarve kishin vështirësi në qasjen në shërbimet shëndetësore dhe ndihmën sociale.
Programet joefikase të banimit
Dokumente të shumta ndërkombëtare promovojnë rëndësinë e strehimit që është i përshtatshëm, i përballueshëm dhe i shëndetshëm për të gjithë. Kësisoj, Karta e Gjenevës e Kombeve të Bashkuara mbi Strehimin e Qëndrueshëm ka për qëllim të mbështesë vendet anëtare, teksa ato kërkojnë të garantojnë qasje për strehim të përshtatshëm, duke i kushtuar vëmendje të veçantë uljes së ndikimit që strehimi sjell në mjedis.
Por Zyra Kombëtare e Auditorit ka evidentuar se programet e veçanta të banimit nëpër komuna të Kosovës nuk performojnë mirë. Shumica e atyre që kanë nevojë për banim social nuk kanë arritur të përfitojnë dhe shumë pak është bërë në përmirësimin e situatës. Si pasojë e mospërfitimit nga ky program i banimit, shumë qytetarë do të vazhdojnë të jetojnë në objekte të rrezikshme ose të papërshtatshme për banim.
Sipas raportit të fundit i publikuar më 2018, “Programi i Veçantë i Banimit” nuk financohet mjaftueshëm dhe resurset në dispozicion nuk janë ndarë në mënyrë efektive. Komunat kanë vështirësi të gjenerojnë fonde të mjaftueshme për t’i përmbushur të gjitha kërkesat e banimit.
“Për më shumë, burimet në dispozicion nuk ndahen në vazhdimësi tek qytetarët që kanë më shumë nevojë dhe ka raste ku përfitojnë njerëz të cilët nuk e gëzojnë këtë të drejtë”.
Po ashtu ka mangësi sa i përket sistemit të informimit, monitorimit dhe inspektimit.
“Qeveria dhe komunat nuk kanë zhvilluar një sistem për të identifikuar nevojat për banim social dhe për pasojë nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me numrin e atyre që kanë nevojë për këtë program”, thotë raporti.
Pandemia me COVID-19 ka shkaktuar çrregullime të mëdha sociale në mbarë botën. Problemi me mungesën e strehimit vetëm sa i ka thelluar ato.
Sociologu Kushtrim Bekteshi thotë se në Kosovë dhe shoqëri pothuajse të njëjta kjo ka pasur ndikim akoma më shumë, për shkak të problemeve tashmë të etabluara në shoqëri.
“Ballafaqimi i grupeve të margjinalizuara me këtë situatë u vështirësua tej mase. Komunitetet joshumicë në Kosovë edhe para pandemisë e dimë që përballen me stigmatizime të vazhdueshme”, ka thënë Bekteshi. “Diferencimet e tilla në shoqërinë tonë zakonisht janë të pranishme për shkak se, si shoqëri nuk jemi të mësuar të bashkëjetojmë me të ndryshmen. Kjo ka bërë që të reflektohet ndaj çdo grupi që është i ndryshëm nga ne. Komunitetet janë epitoma e kësaj mënyre të të sjellit”.
Meqenëse institucionalisht ende nuk janë adresuar drejt problemet e tyre, sipas Bekteshit, pjesëtarët e këtyre komuniteteve (RAE) jo rrallë ballafaqohen edhe me probleme ekzistenciale.
“Për këtë shkak ka filluar edhe të normalizohet stërkeqja e kushteve të tyre. Ky lloj betonizimi i steriotipizimit gati edhe institucional ka prodhuar mosmundësi të integrimit të tyre në shoqëri”, shprehet ai.
Në pritje të vitit të ri, Shemsi Rrustemi numëron ditët që i kanë mbetur para se ta lëshojë objektin ku jeton tani.
“Koha shkon shpejt dhe deri në mars duhet me dalë edhe prej këtu. Dëshira e vetme është me siguru një strehë për familjen. Por me shishe e me hekura nuk ndërtohet shpia”, thotë Rrustemi.