Arbëri

Kurti: Është momenti i fundit të ballafaqohemi me të kaluarën

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në takimin e grupit punues “Strategjia për drejtësinë tranzicionale duhet të bashkojë të gjitha nismat për adresim të së kaluarës”.

Ai ka thënë se ky është momenti i fundit për ballafaqim të duhur me të kaluarën, duke shtuar se gjithashtu është momenti i fundit për adresimin e krejt asaj që ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

“Matjen e dëmeve. Riparimin e tyre. Përmbushjen e së drejtës për të vërtetën për viktimat e krimeve, të mbijetuarit dhe familjet e tyre,” ka thënë Kurti, në takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e Strategjisë për drejtësi tranzicionale.

Në fjalën e tij, ai ka theksuar se Strategjia për drejtësinë tranzicionale duhet të bashkojë të gjitha nismat e filluara si degëzime nga një burim i përbashkët, e që është nevoja për adresim të së kaluarës.

“Kjo strategji bëhet me qëllimin kryesor që të ofrojë një platformë veprimi dhe koordinimi në mes të nismave dhe të shërbejë si platformë reference për të gjithë ata që merren me ballafaqimin me të kaluarën”, ka shtuar tutje ai.

Kurti ka shtuar se problemi dhe njëkohësisht gabimi më i madh i Kosovës si shtet dhe i Qeverive të Kosovës, ka qenë që kemi pasur nisma të panumërta ad hoc, të cilat në mungesë të bashkërendimit nga shteti, kanë përsëritur të gjeturat dhe nuk kanë arritur të adresojnë ashtu siç duhet e as siç e meritojnë bartësit e dëmit.

Ndërsa, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se do të përkushtohet “në hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, me fokus viktimat dhe duke pasur ndjeshmëri karshi aspektit gjinor”.

Ajo kërkoi nga grupi punues që hartimi i Strategjisë për drejtësi tranzicionale të bëhet në konsultim të vazhdueshëm me qytetarët që janë prekur nga lufta, në mënyrë që kjo strategji të pasqyrojë më së miri përvojat, nevojat dhe të drejtat e viktimave.

Në takim ishin të pranishëm anëtarët e Grupit Punues për hartimin e Strategjisë për drejtësi tranzicionale, që përbëhet nga zyrtarë shtetërorë dhe ekspertë për drejtësi transicionale, juristë, përfaqësues të shoqatave dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dokumentues të krimeve të luftës si dhe përfaqësues të ambasadave dhe organizatave vendore e ndërkombëtare në Kosovë.