Arbëri

Osmani shprehet pro sjelljes së qytetarëve afganë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pa asnjë hezitim është pro sjelljes së refugjatëve afganë në Kosovë, si operacion humanitar, nisur nga parimi njerëzor “se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre, për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Osmani theksoi se qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e SHBA-së, pasi ata do të qëndrojnë përkohësisht në vend, deri t’u rregullohet dokumentacioni për në SHBA.

“Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur”, thuhet në statusin e saj në Facebook.

“Më 16 korrik, pak ditë pasi bota, e sidonomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, jam kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë. Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë”, thuhet tutje.

Duke iu drejtuar qytetarëvr, Osmani ka thënë se askush nuk e di “më mirë se në çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me shunë nga vendi ku je rritur, të ndahesh nga më të dashurit, të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetë”.

“Atëherë, shumë vende anembanë botës, hapën dyert për ne pa asnjë kërkesë e asnjë kusht. Na shpëtuan. 22 vite pas atij tmerri, tani Kosova do të dëshmojë se ne kurrë nuk e humbim njerëzoren brenda nesh. Populli ynë i urtë thotë: ‘Shtëpia është e Zotit dhe e Mikut”. Me këtë mirëseardhje ne duhet t’i presim miqtë tanë për të shpëtuar jetë, ashtu siç na shpëtuan ne bota demokratike, kur patëm më së shumti nevojë”, thuhet në statusin e presidentes Osmani.

KOHA gjatë së dielës ka pyetur kabinetin e kryeministrit Albin Kurti për mundësinë e sjelljes së qytetarëve afganë, dhe i njëjti ka thënë se janë në bashkëpunim dhe komunikim me autoritetet amerikane.