1 perditesime
20:44

MF: Drejtori i Inteligjencës Financiare abuzoi me detyrën e besuar

Ministria e Financave ka dhenë më shumë detaje për shkarkimin e Dardan Nuhiut nga pozita e Drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Ministria ka njoftuar se ky bord në mënyrë unanime ka shkarkuar Dardan Nuhiu nga pozita e Drejtorit të NJIF-it.

Sipas njoftimit, mbledhja e jashtëzakonshme ishte thirrur nga ministri Hekuran Murati në cilësinë e kryesuesit të Bordit Mbikëqyrës të NJIF, pas publikimit të audioincizimeve në media ditëve të fundit të cilat implikojnë edhe Drejtorin e NJIF-it, Dardan Nuhiun.

“Gjuha e përdorur në bisedat e publikuara shpërfaq qartazi abuzimin me detyrën e besuar. Një gjë e tillë cenon rëndë reputacionin e institucionit dhe rrezikon besueshmërinë e qytetarëve dhe institucioneve tjera bashkëpunuese. Pas shqyrtimit të audioincizimeve në fjalë, dhe diskutimit në mes të anëtarëve, Bordi Mbikëqyrës me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, vendosi që bazuar në kompetencat që ia njeh Ligji Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, të shkarkojë Dardan Nuhiun nga pozita e Drejtorit të NJIF-it”, thuhet në njoftim.

17:11

Shkarkohet shefi i Inteligjencës Financiare

Bordi Mbikëqyrës ka shkarkuar Dardan Nuhiun nga pozita e drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare.

Në mbledhjen e mbajtur sot, Bordi ka marrë vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm. Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të audioincizimeve të cilat e implikojnë Nuhiun.

Ndër të tjera ai, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të marrë nën kontroll disa media të forta dhe se do të realizojë planin e tij. Nuhiu mban këtë post nga viti 2011.