Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, është mëse e domosdoshme që edhe vitin e ardhshëm shkollor të ketë një angazhim të shtuar në procesin arsimor.
Sipas saj, viti shkollor 2021-2022, do të vazhdojë të jetë me aktivitete e mundësi për ata nxënës që kanë ngecje në të nxënë.
Nagavci ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit, shkollat dhe drejtoritë komunale të arsimit për punën dhe angazhimin në këtë proces.
“Jam e bindur se procesi i organizimit të mësimit plotësues ka reflektuar dhe ndihmuar nxënësit sadopak në arritjen e rezultateve dhe kompensimin e mësimit të humbur. Mësimi plotësues u organizua në fushat, Gjuhët dhe komunikimi, Matematikë dhe Shkencat natyrore, ku nevoja për mbajtjen e mësimit plotësues ishte më e domosdoshme. Bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të raporteve komunale, del se mësimin plotësues e kanë vijuar gjithsej 181.630 nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën (I-XII), apo 61.64% e nxënësve në nivel vendi duke i realizuar gjithsej 100.365 orë mësimore. Për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, konsideroj se është mëse e domosdoshme që vitin e ardhshëm shkollor të kemi një angazhim të shtuar në procesin arsimor. Viti shkollor 2021-2022, do të vazhdojë të jetë me aktivitete e mundësi për ata nxënës që kanë ngecje në të nxënë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.