Arbëri

Qeveria e Kosovës: I ashtuquajturi Mini-Schengen, nismë pa vizion

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me iniciativën e “Mini-Schengen-it” ku këtë të enjte u takuan dhe nënshkruan marrëveshje, tre liderët e Ballkanit, derisa Kosova nuk ishte e ftuar në këtë takim.

Përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN nga Zyra e Kryeministrit, kanë thënë se kjo iniciativë nuk e ka miratimin e Kosovës.

“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur “Mini-Schengen”, tashmë janë të njohura. Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne i ashtuquajturi "Mini Shengen" është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor” është thënë në këtë përgjigje.

Më tutje Qeveria u ka bërë thirrje liderëve të rajonit që t’i përkushtohen vetëm agjendës evropiane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike” është thënë më tutje nga Zyra e Kryeministrit.