Në dëm të Kosovës është duke u konsideruar refuzimi i Qeverisë për t’ iu bashkuar iniciativave rajonale, siç është ajo e mini-Shengenit.
Kryeministri Albin Kurti, në dy samitet e fundit ku ka marrë pjesë, ka përsëritur qëndrimin e tij kundër kësaj iniciative. Ai ka propozuar që për eliminimin e pengesave aktuale mes rajonit të arrihet një marrëveshje e tregtisë së lirë për Evropën Juglindore.
Derisa thotë se propozimet e tilla janë pozitive, Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, thekson se iniciativat për vendet e rajonit do të ndihmonin në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
“Kosova nuk duhet të refuzojë të jetë pjesë e tyre, nuk duhet të mbetet shteti i vetëm që të mbetet jashtë tyre, nëse ka hezitim për shkak të ekonomisë së Kosovës e cila nëse bëhet pjesë e këtyre iniciativave, pastaj bizneset dhe kompanitë i ekspozohen një tregu më të madh, atëherë nuk duhet të ketë hezitim, në fakt duhet të ketë përgatitje nga ana e Kosovës në mënyrë që Kosova t`i përgatisë e mbështesë ato kompani që kur të ekspozohen në tregun më të madh rajonal atëherë këto kompani të jenë të përgatitura dhe të mos kenë pasoja ekonomike”, ka thënë Violetë Haxholli, hulumtuese në KDI.
Një pjesë të fajit për mosdakordimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për iniciativat e caktuara, sipas Besnik Vasollit, është qasja nga Serbia.
“Bashkësia ndërkombëtare e konkretisht shtete anëtare të BE-së do të duhej të ishin më të zëshme që të kërkojnë ndryshimin në Serbi, sepse ky ndryshim do t’i ndihmonte edhe Serbisë që të tejkalonte të kaluarën, dhe të krijonte një atmosferë evropiane edhe në popullatën atje”, është shprehur Besnik Vasolli, njohës i integrimit evropian.
Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës thonë se janë pro bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, por që, sipas tyre, marrëveshjet për një gjë të tillë duhet të bazohen në disa parime.
“Qëndrimi i Qeverise në lidhje me iniciativën e Novi-Sadit tashmë është i njohur. Ne jemi për bashkëpunim rajonal. Së fundmi, kryeministri Kurti ka propozuar një kornizë të re të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik të quajtur SEFTA, e cila u përgjigjet nevojave të të gjithave vendeve te Ballkanit Perëndimor dhe synimit të tyre të shprehur për integrim ne Bashkimin Evropian. Marrëveshja e propozuar po ashtu shpreh vizionin e kryeministrit për bashkëpunim rajonal. Bashkëpunim mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit, me prezencë direkte të Bashkimit Evropian, me mekanizma zbatues të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe me marrëveshje direkte me Bashkimin Evropian bazuar në modelin EFTA-EEA”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Përfshirja e Kosovës në zonën e mini-Shengenit, iniciativë kjo e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është një nga zotimet në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar në shtator të vitit të kaluar.