Derisa kryeministri Albin Kurti po e promovon idenë për treg të përbashkët me SEFTA, ku Kosova është e barabartë me shtetet e rajonit, BE-ja ka deklaruar se duhet të diskutohen të gjitha idetë për treg të përbashkët. Rezultate konkrete, sipas përgjigjes së Zyrës së BE-së në Kosovë, presin më 5 korrik në Samitin e Berlinit.
Ankesa të shumta lidhur me mosfunksionimin e Marrëveshjes së CEFTA-s vazhdon të shprehë Qeveria e Kosovës. Ato lidhen me barrierat jotarifore nga ana e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe mospërfaqësimin e barabartë me shtetet e tjera. Kryeministri Albin Kurti, ka propozuar që këto të zgjidhen përmes modelit të SEFTA-s, ku Kosova do të përfaqësohej pa fusnotë dhe pa pjesëmarrjen e UNMIK-ut në takime.
Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, ka thënë se një nga qëllimet kryesore të propozimit të kryeministrit është krijimi i mekanizmave të fortë për ta mundësuar heqjen e barrierave tregtare.
“Propozimi i kryeministrit duhet të shihet si i plotë, pra krijimi i marrëveshjes SEFTA dhe lidhja menjëherë e një marrëveshjeje me EEA (Zonën Ekonomike Evropiane), që mundëson krijimin e mekanizmave mbikëqyrës dhe zbatues. Me CEFTA-n nuk kemi mekanizma të tillë dhe kemi një mekanizëm që është më shumë bllokues, ku vendimmarrja është me konsensus dhe pa trupa të pavarur dhe gjykatë që do të shqyrtonin veprimet e padrejta”, ka shkruar Kelmendi në një përgjigje për KOHËN.
Zyra e BE-së në Kosovë është shprehur se tregu i përbashkët është zotim nga Samiti i Sofjes më 2020, dhe se format që do t’i marrë tregu i përbashkët duhet të diskutohen nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Derisa e ka përmendur si meritë të CEFTA-s heqjen e barrierave tarifore, nga kjo zyrë kanë deklaruar se Komisioni Evropian shpreson në arritje të rezultateve konkrete në Samitin e Berlinit më 5 korrik.
“Të gjitha idetë që e përmirësojnë bashkëpunimin rajonal duhet të diskutohen nëpër forumet e përshtatshme rajonale me akterët relevantë. Komisioni (bashkë me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe CEFTA-n) është duke i mbështetur liderët e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e zotimeve të Samitit të Sofjes nga gjashtëshja e Ballkanit drejt ndërtimit të tregut të përbashkët rajonal. Shpresojmë për rezultate të prekshme në Samitin e Berlinit (5 korrik)”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.
Lidhur me ankesat e Qeverisë për përfaqësimin nga UNMIK-u, Sekretariati i CEFTA-s ka deklaruar se asnjë vendim nuk është marrë pa pajtimin e Kosovës.
“Në emër të Kosovës* marrëveshja (v.j CEFTA në vitin 2006) u nënshkrua nga UNMIK-u... Asnjë vendim nuk është marrë në CEFTA pa u diskutuar e pa u pajtuar nga të gjithë përfaqësuesit duke e përfshirë këtu Kosovën*, as për protokolle shtesë e as për Vendimet e Përbashkëta të Këshillave”, ka shkruar sekretariati ndër të tjera.
Sidoqoftë, ata e kanë konfirmuar praninë e pengesave jo-tarifore tregtare në mes të shteteve anëtare.
“Barrierat jotarifore janë pengesat më të shpeshta tregtare të botës, e rajoni nuk bën përjashtim. Nganjëherë, marrëdhëniet politike krijojnë komplikime tregtare që nuk mund t’i zgjidhin as marrëveshjet tregtare më perfekte, qartazi për shkak se është jashtë përgjegjësive dhe kompetencave të marrëveshjes”, shkruhet në përgjigjen e CEFTA-s për KOHËN.
Të premten në Samitin e Prespës në Maqedoni është diskutuar ideja e mini-Shengenit dhe Kurti e ka përmendur edhe idenë e tij për SEFTA-n, por liderët rajonalë nuk kanë komentuar mbi propozimin kosovar.