Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar kurth propozimin për Mini-Shengen në Ballkanin Perëndimor, teksa ka propozuar edhe që Kosova ta shqyrtojë pozicionin e saj në kuadër të mekanizmit rajonal për tregti të lirë – CEFTA.
Në emisionin Desku në KTV ajo ka thënë se Kosova edhe pse i ka përmbushur detyrimet e saj në kuadër të këtij mekanizmi, shteti vazhdon të përballet me barriera tregtare, kryesisht të vëna nga Serbia. Ajo ka thënë se Kosova vazhdon të përfaqësohet nga UNMIK-u në këtë mekanizëm.
“Ne po vijmë te konkluzioni se Kosova merr përgjegjësi, por sa po fiton nga ky bashkëpunim. Kjo s’do të thotë se mekanizmat tjerë s’do të funksionojnë. Pikërisht Procesi i Berlinit e shtyn integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian, që të jenë pjesëmarrës në tregun evropian. Duhet te shqyrtojmë mirë procesion e ripozicionimit të Kosovës në CEFTA. Kemi filluar bashkëpunimin me partnerë duke aktualizuar problemet që ka Kosova në barrierat tregtare me Serbinë. Nëse Kosova është në disfavor duhet të mendojmë si t’i mbrojmë prodhuesit tanë. Kryeministri Kurti ka përmendur mekanizmin SEFTA duke ditur se në CEFTA kemi 7 vende duke përfshirë Moldavinë. Por në procesin e Berlinit jemi 6 dhe si mekanizëm si SEFTA s’do të jetë Moldavia”, ka komentuar ajo propozimin e Kurtit që të ketë mekanizëm të ri për tregti të lirë në Ballkan, nën emrin SEFTA.
Sipas saj, SEFTA do t’i jepte përparësi Kosovës që të konsiderohej si shtet i barabartë, pasi, siç ka thënë, me prezencën e UNMIK-ut kjo i është pamundësuar.
Duke thënë se Kosova duhet të aprovojë protokolle të reja në CEFTA me UNMIK-un prezent ende, Hajdari ka lënë në pikëpyetje nëse ajo do të votohet nga Kuvendi pasi “deputetët mund të bëjnë pyetje se a është kundërkushtetuese kjo”.
Sa i përket propozimit për Mini-Shengenin rajonal, ministrja është shprehur se ky propozim forcon disa shtete e dobëson tjera.
“Mini-Schengeni është veçse një kurth. Nuk e sjell frymën e bashkëpunimit rajonal. A do të forcojë raportet bilaterale? Mini-Shengeni do të përforcojë shtetet e jo bashkëpunimin rajonal. Kjo do të thotë se disa shtete do të jenë më të forta e disa më të dobëta, por jo si treg i përbashkët në drejtim të BE-së. Është kurth për dominimin e nacionalizmit që mund të krijojnë disa shtete. Kur vjen puna shtet me shtet aplikon rregulla të tjera e s’është në frymë evropiane. Prandaj Kosova e përqafon procesin e Berlinit e s’largohet nga ajo”, është shprehur ajo.