6 perditesime
13:59

Kuvendi zgjedh Hajrije Morinën në krye të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur drejtore të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Hajrije Morina, e cila ka marrë 56 vota për. Ndërsa, kundërkandidati i saj, Lulzim Rexhepi ka marrë vetëm 18 vota.

Kryetarja e Komisionit votues, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka treguar për rezultatet që kanë marrë secili kandidatë.

“Në votim kanë marrë pjesë 75 deputetë, i pavlefshëm është një fletëvotim, votat e fituara për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit janë si në vijim. Hajrije Morina ka fituar 56 vota, ndërsa Lulzim Rexhepi ka fituar 18 vota. Sipas këtij rezultati, z.Hajrije Morina i ka marrë votat e mjaftueshme për këtë pozitë”, tha ajo.

Mandati i saj në këtë pozitë është 5 vjeçar.

12:14

Kuvendi shkarkon anëtarët e Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës është duke i shkarkuar anëtarët e Bordit të RTK-së një nga një dhe jo bordin në tërësi.

Fillimisht është shkarkuar anëtari i bordit Sali Bashota me 64 vota për. Pas tij është shkarkuar Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyqi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Fadil Miftari.

Deputeti i PDK-së ka thënë se Kuvendi ka bërë shkelje derisa ka shkarkuar anëtarët e Bordit të RTK-së.

11:47

Vazhdon përplasja pushtet – opozitë për RTK-në

Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon të debatohet për RTK-në, përkatësisht për rekomandimin e komisionit për shkarkimin e Bordit.

Deputeti i VV-së, Visar Korenica, i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, i cili tha se partia në pushtet dëshiron ta kapë mediumin publik.

“Pak më parë, Zemaj e përmendi se LVV-ja dëshiron ta kapë mediumin publik, por po e këshilloj kolegun të kthehet mbrapa, sepse Abdixhiku ka thënë publikisht në vitet 2015 e 2016 se RTK-ja bën propagandë të ndyrë me taksa të qytetarëve. Ish-kryeministri jo legjitim më 2019, ka thënë se drejtori, menaxhmenti e bordi i RTK-së janë emëruar në mënyrë jolegjitime. Në RTK ka punëtorë që kanë kontratë shumëvjecare, por se nuk e dinë as ku gjendet objekti i RTK-së. RTK ka paguar emisione të prodhuara nga mashtruesit e vizave”, tha Korenica.

11:19

Opozita kundërshton rekomandimin për shkarkimin e Bordit të RTK-së

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar ashpër rekomandimin e komisionit për shkarkimin e bordit të RTK-së.

“E papranueshme të themi se një televizion si RTK-ja nuk ka auditim... nuk jam në emër të PDK-së këtu, ose ta mbroj dikë nga ligji, nuk e mbroj mungesën e punës të asnjë bordi, por kjo nuk është kapje e shtetit, është plasje e shtetit, me një vendim shkarkoni të gjithë bordet e Kosovës” ka thënë deputeti i PDK-së Bedri Hamza.

Hamza më tutje gjatë fjalës së tij ka thënë se nuk ka shkelje ligjore nga anëtarët e bordit të RTK-së.

“Gjatë tri muajve të pushtetit kemi kuptuar se ata po sulmojnë fjalën e lirë, dhe nëse nuk mendon si ata, do të të sulmojnë. Po i sulmojnë mediat, analistët, punëtorët... njollë e zezë e demokracisë, dhe shteti po zhytet gradualisht në autokraci. Personalisht distancon nga kjo ndërhyrje nuk do të jemi pjesë e kësaj goditje ndaj fjalës së lirë e demokracisë. Ju që keni vendos ta kapni edhe këtë institucion dërgoni një komisar politik për propagandë. Ndaloni dënimet kolektive dhe të respektoni institucionet e pavarur” është shprehur deputeti i LDK-së Agim Veliu.

Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri ka thënë se RTK-ja duhet të trajtohet në një formë tjetër dhe jo të shkarkohet në këtë formë, siç ka thënë ai puro politike.

“Sot kemi vendos në rendin e ditës një pikë e cila rekomandon shkarkimin e bordit të RTK-së. Që në rrethana normale as ishte dashur të trajtohet në këtë formë e mbi të gjitha në aspektin e trajtimit të institucioneve publike si është RTK, duhet të trajtohet në mënyrë krejt tjetër. Është mëse e vërtet që raporti që ka ardh nga RTK nuk ka qenë raport i mirë. Pra ka pas ngecje në frymën e raportimit e cila as mua nuk më ka pëlqyer kam kërkuar që dhe atëherë të vie një raport që në detaje trajton ato që lidhen me planifikimin por edhe e raportimin. Është puro politik është i njëanshëm shkarkimi” ka thënë Tahiri.

“Sa këshilltari sa shefi i kabineti është punësuar, sa daja, halla, nipa e teze do të dalin ditëve në vijim. Po për RTK-në po flasim këtu.. Ju jeni të koncentruar në sistemin e njerëzve tuaj nëpër borde e ndërmarrje publike. Hajnat që kanë vjedh për 12 vjet i keni emëru në Post Telekomi i keni bo drejtora. Ju keni këta, kjo është fytyra juaj e vërteta ...por nuk do të ju shkoj gjatë, do ta shihni në zgjedhjet e ardhshme... e keni marr votën me i qu hajnat në burg e sot ju i keni bo bashkëpunëtorë, sot ju kënaqeni me ta” është shprehur Abelard Tahiri nga PDK.

11:02

Muja: Koha është që RTK-ja t’i shërbejë publikut e jo vetvetes

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal,Daorsa Kica Xhelili  ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit arsyet dhe rekomandimet e komisionit, se përse duhet të shkarkohet bordi i RTK-së.

Në mesin ishte tyre dështimi i vazhdueshëm i këtij bordi për të ofruar qasje Zyrës Kombëtare të Auditmit për të kryer auditimin në këtë televizion.

Deputeti i VV-së Armend Muja ka thënë se njëra ndër arsyet është refuzimi i RTK-së për t’u audituar nga ZKA-ja.

“Sa i përket audimit çdo institucion në Kosovë përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese nuk e refuzon auditimin. Refuzimi nga RTK-ja është bërë për arsye të ndryshme por këto nuk qëndrojnë. Një problem akut është mungesa e formulës së financimit ky lloj i financimit ka skaduar në 2015, në bazë të ligjit bordi i RTK ka qenë i obliguar t’i propozoj Kuvendit forma të financimi. Ky model i financimit nuk është adekuat. Koha është që RTK të mos i shërbej vetvetes por publikut. 3 milionë deri në 4.5 milionë janë borxhet, i kanë tejkaluar shpenzimet, janë arsyetuar se është hapur RTK-ja më gjuhën serbe... Shpenzimet e këtyre punëtorëve janë 70%, ndërsa televizionet e tjera i kanë shpenzuar janë rreth 40%.... që nga viti 2010 janë alokuar 123 milionë euro nuk kanë pranuar që t’i auditojnë “ është shprehur Muja.

10:51

Kuvendi nuk miraton Raportin vjetor të RTK-së për vitin 2020

Me 62 vota kundër, Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar raportin vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020.

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i kanë rekomanduar Kuvendit që të mos miratohet ky raport.

Diskutimi për këtë raport ka përfunduar në seancën e djeshme por për shkak të mungesës së kuorumit.

09:58

​Kuvendi voton sot për shkarkimin ose jo të Bordit të RTK-së

Punimet e seancës së djeshme do të vazhdojnë sot. Nga rendi i ditës me 11 pika, për sot kanë ngelur 3 të fundit. Ndër to, është edhe pika e rendit të ditës për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Seanca është planifikuar të nisë në orën 10:00

Këto janë tri pikat e rendit të ditës, të mbetura për sot:

  • Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
  • Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,
  • Zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.