10 perditesime
18:17

Kuvendi lë për të enjten propozimin për shkarkim të Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës ka lënë për të enjten propozimin për shkarkim të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Seanca e mbajtur të mërkurën ka përfunduar me emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore me përbërje të: Zanita Halimi, Arianit Buqinca, Sadik Krasniqi, Premtim Alaj, Valon Gërmizaj dhe nga minoritetet Ifeta Nikoçeviq dhe Zlazana Boshkoviq.

Po ashtu është miratuar edhe Raporti për Akademinë e Drejtësisë me 64 vota pro.

Para pikës për shqyrtimin e rekomandimit për shkarkim të anëtarëve të Bordit të RTK-së, kryesuesja ka thënë se në dakordim me grupet parlamentare ka vendosur që seanca të vazhdojë nesër.

Pos kësaj çështje, pikë e rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni, si dhe zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

16:58

Kuvendi nuk miraton raportin vjetor të Performancës së ZKA-së

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar raportin vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020.

59 vota kundër, 11 pro ishte rezultati që mori ky raport vjetor.

Para procesit të votimit, në Kuvend pati debat pasi një Komision Parlamentar rekomandoi votimin e tij, e një jo.

13:27

Kurti nuk tregon qëndrimin e Qeverisë për marrëveshjen e Washingtonit

“Nuk mund të thuhet që mund të ketë politikan në skenën politike që nuk e di që me shpall moratorium nuk është veprim antikushtetues... Ende nuk ka vetëkritik analizë mbi atë se çfarë ndodhi më 14 shkurt dhe vetëm në këtë debat mund të kuptohet pse duhej relevant kërkesa për debatin e sotëm është një hatërmbetje absolute është një hidhërim i paarsyeshëm” ka thënë kryeministri Albin Kurtin në debatin që po zhvillohet në Kuvend.

“Ne jemi partnerë serioz të SHBA-së. Prandaj thirrjet që po bëni për seriozitet në raportet me SHBA ne i marrim shumë seriozisht. Mos harroni që me këso mbrojtje që ju pretendoni të ia bëni SHBA-së prej meje...jeni qesharak. Duhet ta pushoni këtë lloj mbrojtje të SHBA-së prej meje. Me çka duhet të merrem unë merrem,por është e vërtetë që nganjëherë duhet të merrem edhe me të kaluarën” është shprehur Kurti.

Por Abelard Tahiri e ka quajtur të papërgjegjshëm Kurtin. “Ky njeri ky kryeministër po tregohet shumë i papërgjegjshëm për secilën fushë edhe për politikën e jashtme për të cilën sot jemi duke Nuk e dimë si ka me vepru me Ujmanin e me pikat e tjera.. Ke marrë votë që ta drejtosh vendin mbi këto argumente e në anën tjetër e keni vendos njëfarë diskursi shumë interesant. Për 20 vjet ju shihni veç krim korrupsion mjerim degradim këtë vend.. a e dini ku ka qenë Kosova” ka pyetur Tahiri.

Më tutje Tahiri ka kritikuar 100 ditëshin e qeverië Kurti. “I keni bërë 100 ditë thuajeni një gjë të mirë një iniciativë. Fatkeqësisht ne nuk po shohim asgjë. Shiheni këtë seancë vazhdimisht veç këta ministra i kemi prezent. As kryeministri as ministrat nuk vijnë me diskutu... gjendja në të cilën po vijmë si vend është i papranueshme. Kemi një abstenim shumë të madh të qeverisë” është shprehur më tutje Tahiri.

“ Për të përshkruar jo seriozitetin e kryeministrit nuk ka nevojë se po shihet vet. Ku është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për këtë çështje a mendon kryeministri Kurti që nënshkrimi është jo koherent e kushtetues... “ ka thënë shefi i GP të LDK-së Arben Gashi.

Gashi më tutje ka pyetur Kurtin se si do të veprojnë më tutje sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Washingtonit.

“Po ua falim krejt popullizmat që i ka bo... krejt po ja falim. Sot çka do të bësh. Ne nuk kemi thirrë të gjykojmë çka është bërë atëherë, pse i ka thirrë 6 interpelanca për një çështje, por kryeministrin po e thërrasim në një debat parlamentar për të treguar se cili është qëndrimi tij. A do ta zbatojë këtë marrëveshje. Nëse nuk do me zbatuar në rregull është kryeministër veç ja dërgon një letër dhe i thotë se nuk e njoh atë marrëveshje...” është shprehur Gashi

12:25

Hoti: Marrëveshja e Washingtonit e ka thyer izolimin ndërkombëtar të Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se me Marrëveshjen e Washingtonit Kosova ka thyer izolimin ndërkombëtar.

Ai tutje ka shtuar se Marrëveshja e Washingtonit ka krijuar një momentum të ri edhe në marrëdhëniet SHBA-BE.

“Është e ditur nga studime të ndryshme dhe njerëzit që kanë lexuar e dinë çka po them është se kur një person të shanë të fyen tregon për veten e tyre”, ka thënë ai.

Hoti ka propozuar që ne fund të debatit parlamentar të miratohet një rezolutë që sipas tij do t’i ndihmojë Qeverisë për zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nëpër secilën fushë po shohin paqartësi në shumë çështje edhe në politikën e jashtme.

Sipas tij, kjo ka qenë pjesë e një procesi të dialogut i koordinuar edhe me BE-në.

“Ajo çka sot është e rëndësishme për ne është qartësia e qeverisë së Kosovës në politikën e jashtëm dhe pikërisht sa i përket kësaj marrëveshje. Për këto 100 do të duhej me dalë me një vlerësim të qartë edhe sa ai përket kësaj marrëveshjeje. Fatkeqësisht nuk e kemi pa. E dini deklarimin e znj. Gërvalla nëse nuk gaboj ka thënë që është e dëmshme. E dimë deklarimin e zëdhënësit të Qeverisë. Çdo seancë që po na del në foltore ti vazhdimisht merresh me të kaluarën. Vazhdimisht del na tregon përralla. Sot si deputet presim elaborimin e marrëveshjes dhe qëndrimin e qeverisë së Kosovës për secilën pikë”, ka thënë ai.

12:15

Kosova dënon gjenocidin në Srebrenicë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën e cila dënon gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta është miratuar me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Më 11 korrik 1995 forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra myslimanë të paarmatosur.

Image
11:44

Lista Serbe e lëshon seancën, shkak Rezoluta për Srebrenicën

Deputetët e Listës Serbe e kanë lëshuar sallën e seancës.

Kjo pasi ka filluar të diskutohet rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Me t’u përmendur si pikë e diskutimit nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, Lista Serbe është larguar nga seanca.

11:15

Kurti për universitetin në veri: S’do të financohet derisa të jetë në përputhje me ligjet

Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit e cila është duke u mbajtur ka folur edhe për universitetin në veri.

Ai ka thënë se nuk ka dyshim që funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim.

“Ky universitet nuk financohet nga buxheti i Kosovës dhe nuk do të financohet derisa të jetë në përputhje me ligjet”, thuhet në njoftim.

11:12

Vitia e Haxhiu përplasen për afatin e vaksinave

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të PDK-së Bekim Haxhiut lidhur me afatin e vaksinave të ardhura nga Norvegjia.

Vitia i ka quajtur të pandershme akuzat e Haxhiut derisa ka thënë se të gjitha vaksinat e ofruara deri më tani janë të sigurta dhe për këtë ata garantojnë të gjithë qytetarët.

“Akoma nuk kemi as një afekt anësorë nga ata që janë vaksinuar deri më tani. Dhe tani Delta është i pranishëm edhe në Kosovë dhe rreziku i shfaqjes së një vale të re ekziston. Andaj ishte dashur që dallime politike të kemi një qasje, qëndrim të përbashkët dhe të jemi të bashkuar, që sa më shpejt të vaksinohen të gjithë qytetarët. Çdo thirrje tjetër është absolutisht e pandershme çdo hezitim i pandershëm, çdo thirrje për këtë hezitim është abuzim me detyrën dhe sinqerisht kërkojë që së paku të jemi të bashkuar për ruajtjen e shëndetit” është shprehur Vitia.

Vitia edhe njëherë ka theksuar se MSH-ja garanton për sigurinë e vaksinave që po jepen në Kosovë.

”Ju garantoj se edhe MSH edhe qeveria, në asnjë moment nuk lejojmë që të rrezikohen qytetarët me vaksina ashtu siç pretendohet. Ato janë të aprovuara nga EMA dhe FDA të gjitha janë të sigurta vaksinohu është për të mirën tonë të përbashkët dhe për shëndetin e secilit qytetarët. Për ju individ të caktuar nëse nuk doni të na ndihmoni së paku në këtë proces mos u mundon të na bëni dëme sepse nuk na bëni dëm as qeverisë as MSH, por qytetarëve” ka thënë më tutje Vitia.

Por Bekim Haxhiu ka vazhduar të insistojë në afatin e vaksinave të pranuara nga Norvegjia.

“Në deklarimet publike të IKSHPK-së të Norvegjisë ata thonë që vaksinat që i kanë larguar u skadon në qershor dhe korrik afati, më pas sekretari i ministrisë ka pranuar që afati disave u skadon në korrik e gusht dhe ju nuk keni guxuar të pranoni një donacion të tillë” ka thënë Haxhiu në replikën e tij.

10:43

Haxhiu fton qytetarët të shikojnë afatin para vaksinimit

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu edhe njëherë ka ngritur çështjen e skadimit të vaksinave të ardhura nga Norvegjia.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në deklarimet jashtë rendit të ditës edhe njëherë ka kërkuar sqarime nga ministri i Shëndetësisë se përse e kishte pranuar këtë donacion, kur ishte në dijeni se afati i këtyre vaksinave ishte deri në qershor dhe korrik.

“Këto ditë MSH-ja ka pranuar donacion nga Norvegjia pasi në muajin mars ky shtet kishte pranuar vendim të largojë nga programi i saj vaksinën Astazeneca. U pranuan me shumë vonesë nga qeveria dhe bazuar në deklarimet e IKSHPK-së të Norvegjisë, thuhet së këtyre afati i skandencës u kalon në muajin qershor e korrik. Bazuar në vendimin e EMA-së përfshirë Gjermani dhe Suedinë kanë larguar këto vaksina për personat nën 60 vjeç. Pyetja ime është kur e keni ditur datën e prodhimit dhe kur shumica e qytetareve e moshës 65 vjeçare janë vaksinuar, përse e keni pranuar këtë, a e keni lexuar ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale” është shprehur Haxhiu.

Haxhiu më tutje u ka bërë thirrje qytetarëve që para se të vaksinohen të pyesin për datën e prodhimit të vaksinës me të cilën ata po vaksinohen.

“Është në kundërshtim me ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale, përse është pranuar ky donacion. Në fund të këtij procesi Kosovës do t'i duhet të asgjësojë këto vaksina. Për të mbrojtur shëndetin i ftoj qytetarët që para vaksinimit të shikojnë datën e prodhimit të vaksinave, çdo vaksinë e prodhuar në procedurë emergjente afatin e skadimit e ka 6 muaj” ka thënë më tutje Haxhiu.

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë të jetë i shqetësuar me numrin e madh të qytetarëve të cilët po refuzojnë të vaksinohen.

Ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që vaksinimin ta bëjë obligues sidomos për punëtorët e sektorit publik në Kosovë.

“Është shqetësuese refuzimi i vaksinës nga qytetarët. Në të gjitha pikat e vaksinimit kemi numër të vogël të qytetarëve që po vaksinohen. 569 doza janë dhënë vetëm të hënën, me këtë dua të them se qytetarët kanë të drejtë të refuzojnë vaksinën, kanë të drejtë ta rrezikojnë jetën e tyre por jo të rrezikojnë të tjerët. Vaksinimi ndaj Covid 19 duhet të bëhet obligativ. Qeveria dhe MSH duhet të bëjnë strategji që i obligon qytetarët të vaksinohen ose të paktën ata punëtorë të sektorit publik ”është shprehur Dreshaj.

10:34

Nis seanca, deputetët shprehin ngushëllime për vdekjen e babait të Veselit

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në fjalën e tij ka shprehur ngushëllime për vdekjen e babait të Kadri Veselit.

“I shpreh ngushëllime në emër të GP të PDK-së edhe Kadri Veselit”, ka thënë ai.

Ngushëllime për vdekjen e babait të Kadri Veselit ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

08:09

Sot debat parlamentar për Marrëveshjen e Washingtonit

Kuvendi i Kosovës, sot do të mbajë seancë dhe në mesin e 11 pikave të rendit të ditës është edhe debati parlamentar për Marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 në Washington.

Debati do të bëhet me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK-ja pret që në seancë të jetë edhe kryeministri Albin Kurti.

Debati është pika e katërt e rendit të ditës. Në rend të ditës është edhe propozim-rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Propozim-rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

4. Debat parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit,

5. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020,

6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020,

7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë të Drejtësisë për vitin 2020,

8. Emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

9. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

10. Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,

11. Zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.