2 perditesime
15:45

Murati: Me rishikimin e Buxhetit përfshihet edhe sektori privat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria pret që të ketë rritje më të madhe ekonomike se që ka projektuar fillimisht.

Pas miratimit të rishikimit të Buxhetit, Murati ka thënë se deri në fund të këtij viti parashihet që të tejkalohen dëmet e shkaktuara nga pandemia COVID-19.

“Kemi përfunduar me një rishikim që te shpenzimet buxheti është paraparë të jetë 2 miliardë e 516 milionë e uro ndërsa të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro. Këto ishin projektuar në fillim të vitit për vitin 2023 por synimi jonë është të arrihet këtë vit. Presim rritje më të madhe ekonomike se që ishte projektuar në fillim, një rritje prej 7.9 për qind apo rritja më e lartë që ka parë vendi vitet e fundit. Jam optimist edhe për rimëkëmbjen ekonomike, parashihet të tejkalohen dëmet ekonomike që janë shkaktuar gjatë pandemisë deri në fund të vitit, madje të arrihet rritje shtesë, të rikuperohet i tërë dëmi i pandemisë”, ka thënë ai në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Murati ka thënë se edhe sektori privat është përfshirë në rishikimin e buxhetit.

“Në raport me rimëkëmbjen ekonomike dhe ndihmat për bizneset sigurisht se janë paraparë dhe gjatë ditëve në vijim me rastin e përfundimit të procesit të rishikimit të buxhetit do të dalim me pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe masat specifike që parashihen të ndihmojnë bizneset, të punësuarit e rinj, ata që kanë humbur vendet e punës dhe kategoritë e tjera”, ka thënë ai.

Ndërkaq lidhur me kërkesën që pati bërë Partia Demokratike e Kosovës që të ndahen 200 milionë euro për bizneset, Murati ka thënë se të tilla deklarata kanë qenë premtime elektorale në tentim për të bindur votuesit.

“Sa i përket atyre që kanë thënë subjektet tjera., e kanë pasur rastin ta vërtetojnë më 14 shkurt në zgjedhje, kanë qenë premtime elektorale që as ata vetë nuk e kanë besuar, por ka qenë tentativë e tyre nëse mund ta bindim ndonjë qytetar pse të mos e provojmë”, ka shtuar Murati.

Ka shtuar tutje se shuma që do të ndahet për këtë sektor do të bëhet publike në vijim, por tha se prej shtesës 155 milionë euro që janë të hyra shtesë, shumica e tyre do shtohet në pakon e rimëkëmbjes dhe projekteve infrastrukturore.

14:36

Miratohet buxheti i rishikuar, prioritet rimëkëmbja ekonomike

Qeveria e Kosovës ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2021. Me këtë rast ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se prioritet është rimëkëmbja ekonomike.

"Ministria e Financave ka finalizuar rishikimin e buxhetit. Këta sinjalizues, sidomos fiskal tregojnë një rikuperim. Prioritet është adresimi i rimëkëmbjes ekonomike. Të gjithë treguesit shfaqin rikuperim në aktivitetin ekonomik. Buxheti i rishikuar për 2021 është mbi 2 miliardë e 500 mijë. Me këtë rishikim të hyrat buxhetore do të rriten. Kjo rritje përfshinë edhe dividentën që do të inkasohet nga dy ndërmarrje publike mbi 30 milionë euro. Borxhi publik shënon rënie rreth 1 përqind” ka thënë Murati.

Ndërsa ministri i mbrojtjes Armend Mehaj ka bërë kërkesë që një shumë prej rishikimit të ndahet për blerjen e disa dronëve.

"Përmes Ministrisë së Mbrojtjes, përmes analizës kemi nevoje për dronë për rritjen e inteligjencës e vëzhgim, Ministria ka bërë kërkesë për blerje të dronit, ne kemi pranuar letrën e ofertës kostoja për katër është 4.6 milionë dollarë ose 11.9 milionë euro. Pagesa e shumës mund të bëhet në dy këste, në 50 përqind të shumës duhet të bëhet në nënshkrimin e kontratës, pjesa tjetër duhet të bëhet deri në mars të 2022. Andaj kërkojmë që 4.5 milionë euro, sepse 1 milionë euro mund t’i sigurojmë si ministri. Oferta nga SHBA-të të vlejë deri më 26 qershor” ka thënë Mehaj.

Ndërsa Goran Rakiq ministër për Komunitete dhe Kthim ka dal kundër kërkesës së ministrit Mehaj për blerjen e dronëve.

“Ne duhet të merremi me ri këmbjen ekonomike dhe rritjen e vendeve të punës dhe kërkesa e ministri Mehaj është e papranueshme. Prioritet duhet të jenë këto për qeverinë” ka thënë Rakiq.

Propozimi i Mehajt është miratuar i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme. Ndërsa ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka kërkuar që nga rishikim të ndahen mjete për blerjen e teksteve shkollore.

Qeveria ka miratuar projektligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. 

"Realiteti i ri i RKS ka sjellë edhe rritjen e bashkëpunimit. MSH ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për amandamentimin e marrëveshjes me Luksemburgun për mbështetje shëndetësore. Kjo për rritjen e shërbimeve shëndetësore. Të rriten kapacitetet dhe te përmirësojë cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve” ka thënë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në mbledhjen e qeveria ku është miratuar marrëveshja bilaterale ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim programi për mbështetje shëndetësore.

Qeveria ka miratuar projektligjin për Tregtinë me Naftë dhe Produkte të Naftës në Kosovë.

“Ky projektligj ka pritur gjatë për miratim që një dekadë. Ne synojmë që të rregullojmë tregun e naftës. Mbrojtjen e konkurrencës etj. Procedurat e lejeve janë thjeshtësuar, kohëzgjatja e lejeve është zgjatur, mbikëqyrja është shtuar etj. Rregullimi i tregut të naftës do të bëhet sipas ligjeve të BE-së” ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë,Tregtisë Rozeta Hajdari në mbledhjen e qeverisë.

Qeveria ka miratuar propozim vendimin e sanksioneve ndërkombëtarë ndaj 7 shtetasve libanezë, të lidhur me Hezbollahun dhe kompaninë e saj financiare Al Qar-Al Hassan bazuar në vendimin e qeverisë të datës 34.06.2021 për shpalljen e krahut politik dhe ushtarak të Hezbollahut si Organizatës terroriste dhe mbështetësve të tyre.

Me këtë rast zëvendës ministrja e MPJD-së Liza Gashi ka thënë se ky vendim ka të bëjë me parandalimin e financimin e akteve terroriste.

“MPJD propozon miratimin e këtij vendim për 7 shtetas libanez për të parandaluar financimin e akteve terroriste dhe për të ngrirë asetet në Kosovë. Në kuadër të këtyre parashihet ngrirja e aseteve etj" ka thënë ajo.

14:07

Qeveria pritet t'i emërojë dy borde të përkohshme

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme të 17-tën me radhë pritet të shqyrtojë 21 pika të ndryshme. Në mesin e tyre qeveria këtë të premte do të shqyrtojë edhe propozim vendimin për emërimin e Bordit të Përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes KRU Prishtina dhe gjithashtu emërimin e bordit të përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci”.

Në mbledhjen e sotme qeveria do të shqyrtojë edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Shëndetësisë për pagesën e specializantëve për muajin qershor 2021.

Ne mesin e pikave të cilat do të shqyrtohen në mbledhje janë edhe shqyrtimi i disa projektligjeve si ai për Tregti të Jashthme dhe për Tregtinë me Naftë dhe Produkte të Naftës në Kosovë, për Agjencinë Kundër Korrupsionit etj.

Ndërsa pika e 15 e kësaj mbledhje do të jetë ajo për shqyrtimin e vendimit për ri destinimin dhe shfrytëzimin e mjeteve buxhetore nga ndarja buxhetore e pa alokuar në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë .