Arbëri

Tërmkolli kritikuesve të Kurtit: Ju që ishit në bisedime që nga 2011-ta, futeni kokën nën dhe

Ish-zyrtarja e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar ish-bashkëpartiakët e saj, të cilët së fundmi dolën kritikë ndaj kryeministrit Albin Kurti për paraqitjen e së martës në dialog me Serbinë.

Duke iu referuar të gjithëve që ishin pjesë e dialogut me Serbinë që nga viti 2011, Tërmkolli ka porositur që të mos flasin asnjë fjalë.

“Futeni kokën nën dhe për turpet që i keni bërë në bisedimet e deritanishme. Nuk keni asnjë të drejtë morale, politike as kombëtare të kritikoni sot Kryeministrin për takimin e djeshëm. Me ‘profesionalizmin’ e juaj, me ‘atdhetarizmin’ e juaj dhe me ‘politikën’ e juaj e keni sjellë Serbinë në Kosovë me katër këmbët. Sot, pa fije turpi, tentoni të shiteni edhe si patriotë e politikanë. Veç mbylleni, ju lutem! Nëse mund të ndihmoni diçka të re në këtë proces, natyrisht bëjeni, ndërsa çka keni bërë e sa keni bërë deri tani e dimë të gjithë. Smira e vogëlsia e shpirtit e mendjes suaj, jo vetëm që ju bën edhe më të vegjël, por po ju bën edhe qesharakë”, ka shkruar ajo në Facebook, të mërkurën.

Tutje, Tërmkolli ka thënë se “nga takimi i djeshëm me Vuçiqin, Kryeministri Kurti është i vetmi politikan deri tani që nga 2011 që bëri prezantimin dhe performancën më dinjitoze për Kosovën. Tutje ç’farë do të bëhet, mbetet të shihet. Këtu jemi!”, ka përfunduar ajo.

Kryeministri njoftoi se ka bërë katër propozime, ndërsa për të mori kritika të shumta nga partitë opozitare. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur mashtrues, ish-koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, e ka cilësuar si paraqitjen më të dobët diplomatike për Kosovën, ndërsa nga PDK-ja kanë thënë se Kurti ka shkelur premtimet për familjarët e të pagjeturve.