Ish-koordinatori nacional për dialogun, Skënder Hyseni, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për sjellje arrogante e “pa sens diplomatik” në takimin e së martës me Serbinë në Bruksel. Sipas tij, Kurti “shkaktoi njërin nga dështimet më të mëdha diplomatike të Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj”.
Të martën, në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kosovës u shpreh se ka bërë katër propozime. Ai ka thënë se ka bërë propozim për marrëveshjen për tregti në Evropën juglindore, që të nënshkruhet menjëherë një marrëveshje e paqes mes dy shteteve, që pas njohjes të ketë reciprocitet bilateral për pakicat dhe që për çështjen e të pagjeturve, dhe që nga delegacioni serb të hiqen njerëzit që ishin në funksione në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga ana e Sllobodan Milosheviqit.
“Kurti arriti që me sjelljen e tij diletante, krekosjen prej populisti dhe papërgjegjësinë e theksuar, ta dobësonte në masë të madhe pozicionin negociues të Kosovës në vazhdimin e dialogut, i cili, deshi s'deshi Albin Kurti do të vazhdojë. Kosova në Bruksel dje, bëri saktësisht atë që Vuçiq dhe Serbia preferonin. Kurti shpërfaqi dëshirën e tij për ruajtje të status-quosë. E asgjë më shumë nuk përputhet me strategjinë afatgjate serbe dhe interesat serbe sesa mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë e kontesitit Kosovë-Serbi me fajin e Kosovës! Kjo sjellje e kryeministrit aktual të Kosovës dëmton rëndë interesat afatgjata të vendit. Ai dje tregoi se nuk ka vullnet, guxim dhe as dije të mbrojë interesat fundamentale të vendit. E sot, nuk ka interes më të madh dhe më urgjent për Kosovën sesa përmbyllja e konfliktit me Serbinë me njohje të ndërsjellë”, ka shkruar në Hyseni në Facebook.
Sipas Hysenit, paraqitja e Kurtit para kamerave ishte sikur “Kurti po i drejtohej ndonjë tubimi të VV-së diku në ndonjë fshat të Kosovës duke bërë monolog populist dhe folk-patriotik!”
“Sidoqoftë, rrethanë e mirë është që jo çdo gjë, që të mos them pak gjë, varet nga Kurti dhe Vuçiqi, të cilët duket kanë të njëjtin qellim, zvarritjen dhe status-quonë. Dialogu do të vazhdojë, dhe unë besoj se do të mbyllet shpejt”, ka thënë tutje Hyseni.
Edhe
Kurti mban kushtet për rikthim në dialog, Osmani pret që procesi të përmbyllet me njohje
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, publikoi një raport që Hyseni, si koordinator atë kohë, ia kishte dorëzuar ish-kryeministrit Avdullah Hoti. Sipas raportit, Hyseni ka thënë se në një takim, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i ka thënë se BE-ja nuk sheh zgjidhje tjetër pos njohjes reciproke mes Kosovës e Serbisë.