Arbëri

MPJ-ja me u.d. të sekretarit, të cilin e kishte kundërshtuar partia që tani qeveris

Descriptive Text

Ministria e Punëve të Jashtme po vazhdon të mbahet me ushtrues detyre të sekretarit, zgjedhja e të cilit ishte konsideruar e jashtëligjshme nga partia që tani udhëheq me Qeverinë. Derisa Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime për ndryshimet në strukturën organizative, përfshirë atë të sekretarit, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se kjo duhet të bëhet duke mos krijuar boshllëqe në funksionimin e institucionit

Reforma e paralajmëruar nga Qeveria Kurti nuk e ka prekur ende strukturën organizative të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gati tre muaj prej votimit të Qeverisë, ky dikaster është duke vazhduar me ushtruesin e njëjtë të detyrës së sekretarit, edhe pse zgjedhja e tij ishte cilësuar e jashtëligjshme nga partia që tani qeveris.

Shkelzen Morina ishte emëruar nga ministrja e kaluar, Meliza Haradinaj, nëpërmjet një ekspres rokade. Nga pozita e drejtorit të Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, ishte dërguar në Departamentin për Diplomaci Ekonomike në Ministrinë e Jashtme. Pas vetëm dy ditësh, ai u avancua në ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm në Ministri (13 korrik 2020).

Zhvleftësimin e këtij vendimi e patën paralajmëruar zyrtarë të Vetëvendosjes, në korrikun e vitit të kaluar. Ish-shefi i kabinetit të ministrit Konjufca, tani zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, e kishte quajtur të pakuptueshëm kontributin që mund të japë në politikën e jashtme një person që ka njohuri për tatimin në pronë.

“Rokada të shumta me suspendime, pezullime, ngritje e dërgim në misione janë bërë e po bëhen për t’i akomoduar interesat e partive të përfshira në ‘Qeverinë ilegjitime Koti’. Se çfarë mund t’i kontribuojë politikës së jashtme të Republikës njohuria e këtij personi për tatimin në pronë, është e pakuptueshme. Por, edhe më absurde bëhet situata kur ky person, në ditën e dytë të punës së re dhe ende pa u njohur mirë me kolegët dhe zyrat e reja, se lëre më me politikën e jashtme apo praktikat diplomatike, caktohet u.d. i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ky është edhe një hap shtesë i ministres Haradinaj drejt degradimit të plotë të MPJD-së dhe shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës. Vendimet e tilla do të zhvleftësohen shumë shpejt, sepse një qeverisje e tillë nuk mund të vazhdojë gjatë”, kishte shkruar Ahmeti më 8 korrik 2020.

Zyra për media dhe kabineti ku përfshihet edhe zëvendësministri tani nuk kanë ofruar përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Burime të “KOHËS” kanë thënë se Ministria e Jashtme e ka dërguar para një muaji kërkesën në Ministrinë e Punëve të Brendshme për hapjen e konkursit për sekretar të ri. Por, shpallja nuk është bërë ende.

Ndërrimi i sekretarëve të MPJD-së dhe mbajtja e tyre me ushtrues detyre kur ndryshojnë partitë në pushtet është praktikë e ndjekur viteve të fundit.

Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë të domosdoshme zgjedhjen e sekretarëve me mandat të plotë, por duke u siguruar që të mos lejohen boshllëqe në strukturën e ministrisë.

“Reformat në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe shërbimin diplomatik të Kosovës janë jashtëzakonisht të nevojshme, por edhe të vonuara. Megjithatë, duhet ta kemi parasysh që këto reforma duhet të bëhen konform një strategjie e cila është e mirëmenduar dhe është bërë me një analizë të thellë të problemeve në MPJ. Në këtë mënyrë, çfarëdo ndryshime që bëhen në strukturën e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk duhet ta cenojnë mirë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës dhe nuk duhet të lejohet krijimi i boshllëqeve në funksionim”, ka thënë Emir Abrashi nga “Demokraci Plus.”

Sa i përket pozitës së ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Abrashi nuk sheh diçka të jashtëligjshme.

“Megjithatë, mund të diskutojmë sa i takon kohës kur është marrë vendimi, por ajo u mbetet ekspertëve ligjorë dhe juristëve për të përcaktuar nëse është realizuar si duhet. Legjislacioni në fuqi lejon ushtrimin e detyrës për një periudhë prej 12 muaj, prandaj në rastin konkret nuk shoh ndonjë problem sepse sa e di akoma nuk e ka mbushur një vit”, ka theksuar Abrashi.

Emërimi i Morinës nga Haradinaj është bërë pavarësisht faktit se brenda kësaj ministrie ka qenë sekretari, por që kishte kaluar në listën tepricë, pas riorganizimit të ministrive gjatë qeverisjes Kurti 1.

E në kohën sa ishte Glauk Konjufca ministër, ushtrues detyre i sekretarit ishte caktuar Albert Prenkaj, njëherësh drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme. Por, ministrja Meliza Haradinaj e ka suspenduar Prenkajn edhe nga pozita e drejtorit, por ai u kthye me vendim të Këshillit të Pavarur për Shërbyesit Civilë.

“Sa i përket prekjes së pozitave të shërbyesve civilë, aty duhet të ketë kujdes sepse në të kaluarën të gjitha ndryshimet që janë bërë, pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar në gjykatë dhe më pas kemi vendime që zyrtarët të kthehen në ato pozita. Pa u bërë konform ligjit vendimet e tilla, u shtohen si barrë financiare institucioneve”, ka potencuar Abrashi.

Reforma e paralajmëruar nga ministria deri më tani ka prekur vetëm ambasadat. Një nga vendimet e para të ministres Donika Gërvalla ishte shkarkimi i 12 ambasadorëve të emëruar me çelës politik, si dhe dy konsujve të përgjithshëm.

vendimit për lirimin e ambasadorëve, gjëja e fundit që i nevojitet vendit është një mungesë e funksionimit të brendshëm të qendrës dhe kjo do të ishte fatale edhe për vetë përfaqësimin e vendit jashtë. Prandaj, duhet filluar sa më shpejt procedura por duhet pasur kujdes, sepse nëse dëmtohet imazhi i vendit do të jetë vështirë të rikuperohet”, ka theksuar Abrashi.

Me lirimin e tyre nga detyra, Kosova e ka ulur nivelin e përfaqësimit me të ngarkuar me punë në shumë misione, përfshirë vendet të rëndësishme.

Me gjithë premtimin e Qeverisë se së shpejti do të emërohen ambasadorët e rinj, kjo nuk ka ndodhur ende. Në total, Kosova ka mbetur pa shefa të misioneve në 17 ambasada, prej 32 sa i ka gjithsej.

Ambasadorë nuk ka as në vende të rëndësishme. Qe tre vjet, Kosova nuk ka ambasador në Londër, e pa të ka mbetur edhe në Washington, Bruksel, Berlin e Tokio.