3 perditesime
14:17

Ministri Aliu pas seancës: Aktakuza s’ka bazë, kam mbrojtur pronën publike

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, tha se aktakuza ndaj tij nuk ka bazë ligjore pasi ka mbrojtur pronën publike.

Aliu ka thënë se në atë zonë ishte paraparë ndërtimi i një shkolle dhe po të lëshonte leje për ndërtimin e ndonjë objekti individual atëherë do të kishte bazë për aktakuzë.

“Ajo çfarë kemi bërë ne, unë si drejtor atëherë në Drejtorinë e Urbanizmit, kam bërë veprim të drejtë, kam mbrojtur interesin publik. Këtë rast në Prishtinën e Re, zona perëndim, të ketë shkollë, siç parasheh plani. U prezantuan gjitha provat, ku që të jepet një leje duhet bazuar në plan. Ne jemi bazuar në plan. Plani është aprovuar nga Kuvendi Komunal, është vërtetuar ligjërisht nga organet siç e parasheh ligji. Janë të vërtetuara ligjërisht, nuk ka mundësi tjetër që Drejtoria e Urbanizmit të jep leje ndryshe. Kemi zbatuar ligjin. Dhe pretendimet e Prokurorisë në këtë rast, se është dashur të japim leje, në këtë rast po të vepronim ndryshe, atëherë do të kishte bazë për aktakuzë. Aktakuza nuk ka bazë, kemi zbatuar ligjin, kemi mbrojtur interesin publik e pronën publike”, tha Aliu.

Ndërsa Avokati i Aliut, Fatlum Podvorica tha se aktakuza është ngrit pas dy vjetësh, derisa tha se ka bazë ligjore për hedhjen e saj.

“Në rastin konkret kallëzimi penal është ngritur nga Dan Imeri, që i bie se aktakuza është ngrit pas dy vite e dy muaj dhe në rastin konkret ka bazë ligjore për hudhje të aktakuzës si të paafatshme”.

10:20

Avokati i Aliut pretendon se aktakuza është ngritur pas afatit ligjor

Avokati i Aliut, Fatlum Podvorica, i ka dorëzuar kopjet e aktgjykimeve për masë të përkohshme për ngastrën në fjalë.

Sipas tij në shkrimore del që masa e përkohshme tashmë është larguar, por ende nuk është vendosur për kontestin.

Ai po ashtu ka pretenduar se është ngritur aktakuza pas afatit ligjor.

Podvorica thotë se aktakuza është ngritur dy vjet e tre muaj pasi Dan Imeri ka ushtruar kallëzim penal për Aliun dhe të tjeret ndërsa ligjërisht, Prokuroria ka kohë dy vjet për ngritjen e aktakuzës. Ai ka kërkuar që aktakuza të hidhet si e pasafatshme.

I akuzuari Liburn Aliu ka filluar t'i sqarojë procedurat e miratimit të planit urban por që gjyqtari e ka ndërprerë me arsyetimin që 'nuk je kompetent për këtë gjë'.

Ai ka thënë se refuzimi i kërkesës është sepse Dan Imeri ka kërkuar ndërtim individual banimi ndërsa me planin rregullues urban parashihet shkollë, ambulancë dhe çerdhe

Avokati Arber Istrefi që e përfaqëson të akuzuarin Ardian Ollurin, ka thënë se aktakuza në fjalë e ngarkon Ollurin se i njëjti paska vepruar në kundershtim me interesin individual. Pra sipas tij, aktakuza e vë interesin individual para interesit publik.

Avokati Destan Rukiqi, që mbron Bahtie Ukën, ka thënë se nëse vendoset të mbahet shqyrtimi gjyqësor atëherë duhet të ftohet si dëshmitar Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se gjykata nuk duhet ta pranojë si dëshmi një CD që prokurorja ua ka bashkangjitur. Sipas tij në këtë CD, janë dy deklarata të dhëna në KTV, një nga Liburn Aliu dhe një tjetër nga këshilltari i Shpend Ahmetit.

Avokati i të akuzuares Mimoza Berisha-Prestreshi, Florin Vertopi ka thënë që Dan Imeri e ka iniciuar këtë kallëzim penal e ka bërë pa autorizim nga personat e tjerë.

Sipas tij ai thirret si përfaqësues të lagjes por në kallëzim penal nuk është fare autorizimi. Qysh në fillim sipas tij prokuroria është dashur ta hedhë poshtë këtë kallëzim penal.

Prokurorja e rastit Dulina Hamiti ka thënë që aktakuza është e mbështetur në prova dhe dëshmi të cilat ka propozuar që të shqyrtohen gjatë afatit ligjor.

10:13

Fillon seanca kundër Liburn Aliut, mbrojtja propozon prova të reja

Ka filluar seanca e shqyrtimit të dytë fillestar ku i akuzuar është ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu dhe disa zyrtarë të Komunës së Prishtinës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Liburn Aliu ka thënë se sot do të prezantojnë provë të re për këtë proces.

Sipas tij, për pronësinë e ngastres kadastrale për të cilën është ngritur aktakuza ka një procedurë kontestuese.

09:41

Liburn Aliu sot para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu, dhe të akuzuarit e tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

Ata ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë akuzë, gjashtë të lartpërmendurit janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 30 prill.

Ndaj ministrit Aliu rëndojnë akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim