2 perditesime
23:25

Kurti: Takimi i qershorit me Vuçiqin, për dialog të përgatitur mirë e me agjendë të qartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar se dialogu do të vazhdojë, por jo si deri më tash. Sipas tij, tash e tutje, duhet të jetë i përgatitur mirë, me agjendë të qartë dhe me rezultat të pritshëm – njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti në një intervistë pas darkës zyrtare në Bruksel me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se nga mesi i qershorit, do të mbahet takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe në atë takim sipas tij, do të flitet se çfarë agjende do të ketë dialogu.

“Do te jetë dikur mes qershorit dialogu. Do të jetë takim për të diskutuar se si do të vazhdohet me dialogun, me çfarë agjende, kemi nevoje të dakordohemi për procesin përpara, nuk mund të vazhdojmë si në vitet e kaluara dhe me qeveritë e kaluar, duam dialog të përgatitur mirë si palë të barabarta. Thelbi është ajo që e ka thënë presidenti Biden dhe liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togëfjalëshit, njohje reciproke”, ka thënë Kurti.

Kurti ka treguar se në darkën e organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka vënë theksin te liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Unë kam vënë theksin te çështja e liberalizimit te vizave, jo vetëm kaq, kemi nevojë për investime në ekonomi, që në përgjithësi e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisim punësimin”, ka shtuar ai.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të të ecin më shpejt nëse u përmbahen tri vlerave: demokratizimi, luftimi i autokracisë; sundimi i ligjit, pra luftohet monopoli dhe oligarkitë; dhe, ballafaqimi me të kaluarën, pra eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelet e luftës. Edhe më tej kemi kriminelë të luftës e të paqes që dominojnë në institucione e parti. Në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për më shumë besim në të ardhmen dhe bashkëpunim afatgjate dhe të drejtë”, shtoi Kurti.

Kurti ka folur edhe për përgatitjet e brendshme që do të bëhen para rinisjes së dialogut në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, do të jetë takim me liderët opozitarë dhe diskutim në Kuvend. Po ashtu, ka shprehur bindjen se deri në fund të vitit, do të vaksinohet 60 për qind e popullatës kundër COVID-19, që është edhe qëllim i Qeverisë Kurti 2.

21:18

Kurti nga Brukseli bën thirrje për liberalizim të vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian.

Pas darkës tradicionale të liderëve të Ballkanit Perëndimor të shtruar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në Bruksel, Kurti ka thënë se njohja e Kosovës nga vendet që s’e kanë njohur do ta çojë vendin drejt integrimit evropian.

“Konfirmuam interesin dhe gatishmërinë tonë për të bërë progres drejt BE-së dhe në të njëjtën kohë diskutuam me miqtë dhe kolegët tanë këtu në Bruksel si të na ndihmojnë të bëjmë reforma në vendet tona dhe nga ana tjetër të bindim pesë shtetet anëtare që nuk na njohin, ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti ka përsëritur edhe një herë nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se është i vetmi shtet në Evropë, rinia e së cilës është e izoluar.

“Republika e Kosovës është shtet me të rinj shumë të talentuar që e shohin BE-në si mundësi si për studime, ashtu edhe për punë këtu, e më pas të kthehen e të kontribuojnë në shtetin e tyre. Ne na duhet liberalizimi i vizave. Jemi shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka liberalizimin e vizave. Kemi ende regjim të vizave, që është pengesa më e madhe për të rinjt e të rejat e talentuara në Kosovë për të studiuar dhe për të bërë biznes. Mosha mestare në Kosovë është 30 vjet dhe me një rini kaq të talentuar është aq çuarje dëm të kemi këtë mur të izolimit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se është i interesuar të ketë më shumë investime për të punësuar më shumë të rinj të cilët, siç ka thënë ai, gjithnjë e më shumë “po shtyten të migrojnë”.

20:27

Darka në Bruksel, Borrell: Jemi të gatshëm ta forcojmë angazhimin tonë për Ballkanin Perëndimor

(Kosova Press) - Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se ka organizuar një darkë për gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të rinovojë traditën e bisedimeve të rregullta "mbi rajonin me rajonin" dhe për të diskutuar hapur situatën dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor.

"Qëllimi është të lidhemi me partnerët tanë në rajon, t'i dëgjojmë ata, të kuptojnë shqetësimet dhe idetë e tyre dhe të shohim se si të punojmë më mirë së bashku për një të ardhme të përbashkët," tha Borrell.

Ai kujtoi se ministrat e Jashtëm të BE-së vlerësuan javën e kaluar se Ballkani Perëndimor ishte "një nga përparësitë më të larta të BE-së".

"Ne jemi të gatshëm të forcojmë angazhimin tonë ndaj rajonit, i cili nuk është në diskutim, por duhet ta bëjmë atë më të dukshëm. Kjo darkë me gjashtë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor do ta bëjë atë të dukshme”, tha Borrell.

Ai kujtoi se krerët e diplomacisë së BE-së në takimin e Këshillit mbështetën një angazhim të gjerë politik me rajonin "i cili shkon përtej kornizës së zgjerimit" dhe shtoi se në mbrëmje do të marrë pjesë komisionari për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

"Sonte, ne duhet të marrim në konsideratë tablonë e gjerë politike të rajonit, jo vetëm nga pozicioni i zgjerimit dhe anëtarësimit në BE, por gjithashtu nga qasja gjeopolitike ndaj të gjithë rajonit," tha Borrell.

Ai shprehu shpresë se bisedimet e mbrëmjes së sotme në Bruksel do të ndihmonin për të kuptuar më mirë dinamikën e rajonit dhe për të përcaktuar mënyrat për të bashkëpunuar më mirë në sfidat gjeopolitike të së tashmes.