Arbëri

IKSHPK: Nga 29 mijë të vaksinuarit asnjë s’pati efekte të rënda pasvaksinale

Duke lavdëruar vaksinat si “mënyrën më të mirë, më të lirë dhe më efikase për t’u mbrojtur nga COVID-19”, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka thënë se nga mbi 29 mijë të vaksinuarit deri tash në Kosovë, asnjë nga ta s’ka raportuar për efekte të rënda pasvaksinale.

Në një njoftim në Facebook, IKSHPK-ja ka thënë se pasi që vendi s’ka mjaftueshëm doza për të vaksinuar 70 për qind të popullatës, është me rëndësi që së pari të vaksinohen personat që janë në rrezik më të lartë të sëmuren rëndë apo të vdesin si pasojë e COVID-19.

Kosova deri tash ka marrë rreth 62 mijë doza të vaksinave “AstraZeneca” dhe “Pfizer”. Të gjitha përmes donacioneve nga COVAX-i dhe Bashkimi Evropian. E të dyja këto vaksina, IKSHPK-ja i ka cilësuar të sigurta dhe efikase.

“Vaksinat e aprovuara nga EMA janë të sigurta. Për t’u aprovuar përdorimi i vaksinave kundër COVID-19, ato duhet t’i përmbushin standardet më të larta të sigurisë dhe efikasitetit. Edhe pse këto vaksina janë zhvilluar në kohë rekorde, përsëri procesi nuk i ka bërë më pak rigoroz hulumtimin dhe testimin, vlerësimin e rezultateve dhe aprovimin e vaksinës”, thuhet në njoftim.

E me këto dy lloje vaksinash deri tash janë vaksinuar 29 mijë e 704 persona me dozën e parë dhe, sipas IKSHPK-së, “asnjë nga ta nuk kanë raportuar efekte të rënda pasvaksinale”.

Deri tash në vend janë vaksinuar stafi shëndetësor dhe personat e moshuar mbi 70-vjeç e ata me sëmundje kronike. Sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit, procesi do të vazhdojë me këto mosha dhe ata me sëmundje kronike. Pas tyre në radhë janë mësimdhënësit e forcat e sigurisë.

“Duke qenë se faza e parë e vaksinimit ka filluar në kohën kur Kosova është përballur me kulmin e infeksioneve me COVID-19, rrjedhimisht infeksioni ka atakuar edhe personelin shëndetësor dhe rrethin e tyre, prandaj kjo kategori janë edhe prioritet në vaksinim. Ekipet e profesionistëve shëndetësor janë duke realizuar me një dinamikë të shtuar procesin e vaksinimit, duke zbatuar standardet më të larta profesionale, andaj të gjithë së bashku të mbështesim punën e tyre në këtë situatë të vështirë të shëndetit publik. Komiteti Kombëtar për Vaksinim kundër COVID-19 u ka dhënë prioritet punëtorëve shëndetësor si kategori esenciale për menaxhim të situatës me pandeminë, krahas kategorive të tjera, që poashtu, janë vaksinuar në fazën e pare, si të moshuarit, të vendosurit në qendrat për të moshuar dhe punëtorët social që kujdesen për ta, të sëmurët kronikë në moshat e shtyra, etj., gjithnjë sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19. Andaj i inkurajojmë qytetarët që të përcjellin njoftimet zyrtare për fazat e ardhshme të vaksinimit dhe kategoritë që do të vaksinohen sipas Planit”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Nga fillimi i pandemisë, në Kosovë deri tash janë regjistruar 106 mijë e 538 raste pozitive. Kanë vdekur 2213 persona, ndërsa janë 6102 raste aktive.