Instituti GAP kërkon ristrukturim të institucioneve arsimore
Bekim Salihu nga instituti GAP ka thënë se në sistemin arsimor në Kosovë nevojitet reforma.
Ai në Express Intervistë ka thënë se duhet ristrukturim i institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare, i cili parim do ta kishte dobinë për nxënësit, dhe jo pakënaqësitë e mësimdhënësve të cilët për shkak të ristrukturimit mund të mbesin pa punë.
“Ka mundësi që shumë vende të punës të mos zëvendësohet në momentin e pensionimit të kategorive të ndryshme. Po kërkojmë (reformë brenda sistemit arsimor). Reforma i ka dy elemente, kërkon guxim dhe krijon pakënaqësi. Nuk duhet ta shohim prioritet pakënaqësinë e një numri të mësimdhënësve që mund të mbesin pa punë si rezultat i ristrukturimit, por duhet ta shohim të dobishëm se përfitojnë nxënësit”, ka thënë ai.
Salihu ka përmendur rastin e komunës së Deçanit me mbylljen e tri shkollave, duke thënë se kjo ka pasur ndikim pozitiv, për çka shtoi se edhe komunat e tjera duhet ta ndjekin shembullin e njëjtë në institucionet arsimore ku numri i nxënësve është shumë i ulët.
Instituti GAP, sot ka publikuar raportin “Shkolla të tepërta? Ristrukturimi i rrjetit të institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare”, ku u tha se nga viti shkollor 2008-2009 deri në vitin shkollor 2019-2020, numri i nxënësve ka rënë për 26 për qind, apo për 114,323 nxënës. Në bazë të të dhënave për 19 komuna, janë 340 klasa që kanë pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se 10 nxënës.
Salihu ka shtuar se me numër më të ulët të nxënësve janë kryesisht zonat rurale. Ka përmendur dy faktorë potencialë për këtë.
“Kryesisht prijnë zona rurale në rënien e numrit të nxënësve. Rënia në zonat rurale kuptohet se nuk ka mjaft nxënës. Mund të jetë faktori i migrimit apo natalitetit për këtë”, ka thënë ai.
Salihu u shpreh skeptik se këtë vit mund të bëhet ristrukturim në institucionet arsimore. Kjo për shkak të zgjedhjeve lokale, që sipas tij, nuk do ta marrin guximin kandidatët të bëjnë ndryshime të tilla që mund të kundërshtohen.
“Këtë vit nuk mund të merren vendime si në Kamenicë sepse është vit zgjedhor sepse konsiderojnë se një gjë e tillë mund të shkaktojë efekte në votë. Por, në vitet e nevojshme konsideroj se do të jetë e nevojshme”, ka thënë Salihu.