Arbëri

Me peticion kërkohet “shpëtimi i arsimit”

Dhjetëmijë nënshkrime kërkojnë t’i mbledhin organizatat e shoqërisë civile me moton “Për shpëtimin e arsimit”. Përmes këtij peticioni ata po kërkojnë reformim urgjent të sistemit arsimor, duke mbyllur shkollat me numër të vogël të nxënësve, pensionimin e parakohshëm dhe vlerësimin vjetor të mësimdhënësve

Organizatat e shoqërisë civile që merren me çështjet e arsimit parauniversitar kanë përpiluar një peticion, me të cilin kërkohet të ndërmerren veprime urgjente për reformimin e sistemit arsimor.

“Për shpëtimin e arsimit” e kanë quajtur nismën e tyre, për të cilën zyrtarisht nga 15 marsi do të fillojë mbledhja e 10 mijë nënshkrimeve.

Drejtori i organizatës “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, tha se shtysë e këtij veprimi të paprecedentë kanë qenë rezultatet e testit PISA dhe mosreagimi institucional ndaj renditjes së nxënësve të Kosovës në testimin ndërkombëtar.

“Fatkeqësisht nuk ka vend për të uruar. Sot jemi mbledhur, për të filluar mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve për të shpëtuar arsimin në Kosovë. Pas rezultatit të testit PISA që ka dalë në dhjetor të vitit 2023, organizatat e shoqërisë civile të arsimit paraunviersitar janë shqetësuar goxha shumë, jemi shqetësuar me rezultate në vetvete, gjithashtu edhe me reagimin joadekuat nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Gashi. “Nxënësve duhet t’iu kthehet motivimi dhe mësimdhënësve dinjiteti”.

Kërkesa e tyre është që të ndërmerren veprime urgjente në riorganizimin e shkollave që numërojnë më pak se 60 nxënës, pensionimin e vullnetshëm të parakohshëm të mësimdhënësve të moshës 55-64 vjeçare, si dhe vlerësimin vjetor të shkathtësive dhe njohurive të mësimdhënësve.

“Ndërkohë, për nxënësit marrim informata nga testi PISA, neve si shoqëri na mungojnë informatat për mësimdhënësit... Është me rëndësi ta kuptojmë që vlerësimi nuk nënkupton ndëshkim, por mbështetje. Edhe mësimdhënësit janë rezultat i sistemit tonë të arsimit. I mirëkuptojmë ata dhe nuk i gjykojmë”, ka thënë Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë e Organizatës “Toka”.

Në testimin ndërkombëtar PISA, që i nënshtrohen 15-vjeçarët, Kosova ka qenë pjesëmarrëse tri herë. Në tri raste ajo është renditur në gjashtë vendet e fundit.