2 perditesime
23:38

Zogaj: Do të bëjmë një analizë të degëve para zgjedhjeve lokale

Alban Zogaj, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se do të bëhet një analizë e degëve të partisë para zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Zogaj ka thënë se LDK-ja qysh në maj pritet të fillojmë me një formë fushate, e që nënkupton edhe t’i kenë kandidatët për zgjedhjet komunale.

“Dje në kryesi është votuar edhe propozimi për të pasur një analizë të degëve. I kemi grupet punuese që do të analizojnë çdo degë, analizën e rezultateve, por mbarëvajtjes së punës dhe organizimit në degë. Këto grupe punuese do të kenë komunikim me secilën degë e nëndegë, në vazhdimësi gjatë kësaj kohe. Të shohim si është mundësia më e mirë me u riorganizu për zgjedhjet lokale. Të shohim menjëherë në zgjedhjet lokale të tetorit, efektet e para të këtij riorganizimi. Mos të shihet aspekt negativ riorganizimi, pasi është vetëm për të mirën e përbashkët. Kryetari Abdixhiku po insiston që ne prej muajit maj të hymë në një formë në një fushatë. Të fillojmë të plasojmë platformën tonë. Kjo nënkupton t’i kemi kandidtët, të fillojnë me u përgatit, me i përgatit programet e veta, ta kenë idenë e qartë për zhvillim të komunave. Të hynë në garë të përgatitur”, ka thënë Zogaj në Interaktiv të KTV-së.

23:20

Zogaj: Departamentet e LDK-së do të ofrojnë zgjidhje edhe për Qeverinë

Alban Zogaj, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka folur për departamentet e krijuara në kuadër të partisë.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së. ka thënë se këto departamente me ekspertët që do të përfshijnë nuk do të jenë vetëm për reagime si parti opozitare, por edhe do të ofrojnë zgjidhje për Qeverinë.

“Secili departament do të ketë një koordinator dhe departamentet do të kenë nga pesë deri në 10 ekspertë. Një koordinator i cili i koordinon këta ekspertë. Do të jenë të barabartë mes të barabartëve, ekipe të cilat punojnë për ide që do t'i shtyjmë tutje, ekipe që do të punojnë për orientime edhe për qëndrime politike të LDK-së. Unë jam pjesë e departamentit të ekonomisë. Aty kemi ekonomistët më të mirë që i kemi në grupin tonë, LDK. Është ish-kryeministri i vendit Avdullah Hoti, zonja Hykmete Bajrami, që është ish-ministre e Financave, Besjan Mustafa që është edhe koordinatori në këtë rast dhe të tjerët që do të na bashkëngjiten. Zakonisht thuhet se do të jenë reagime, pra nuk do të jenë vetëm reagime, do të jemi edhe proaktiv, pra të paraqesim edhe alternativa politike e qeverisëse, ku ne i drejtohemi Qeverisë por edhe shoqërisë, pra të dalim me zgjidhje. Të themi kjo është rruga që duhet ndjekur”, ka thënë Zogaj.

23:10

Zogaj: LDK-ja ka qenë e angazhuar për ndryshimin që e kthejnë atë aty ku e ka vendin

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka folur për vendimet e partisë pas zgjedhjeve të brendshme. Ai tha se këto vendime kanë ardhur në harmoni me proceset e reja të cilat janë bërë në parti, përfshirë zgjedhjet, kryesia e re e kryetari i ri.

Zogaj në Interaktiv të KTV-së ka folur edhe për angazhimin e tij në politikë, për të cilin tha se ka parë hapësirë për angazhim për zhvillimin e LDK-së.

“Angazhimi politik për mua nuk ka qenë me suksesin e grupit. Kam parë hapësirë tash për angazhim dhe shoh angazhim për zhvillimin e LDK-së dhe të vendit. Përvoja ime dhe shkollimi më bën shumë të përshtatshëm të angazhohem politikisht. Ky ka qenë momenti i angazhimit”, tha ai.

Sipas tij, hapat konkretë të ringritjes së LDK-së po vijnë qysh prej rezultateve të zgjedhjeve, teksa kujton periudhën e dorëheqjes së ish-kryetarit Isa Mustafa dhe ardhjen e kryetarit të ri. Tha se, “qysh atëherë LDK-ja ka qenë e angazhuar për ndryshim të cilën e kthejnë aty ku e ka vendin dhe këtë po e them prej momentit kur Mustafa jep dorëheqje, pra liron hapësirë”.

“Organizimi i zgjedhjeve të LDK-së ka qenë fantastike se si transformohet një udhëheqje në një udhëheqje tjetër. Kryetari i ri i LDK-së ka ardhë me ide të reja, ekip të ri e kryesi e re dhe po e riorganizojmë grupin. Në këtë drejtim ishin edhe vendimet e djeshme”, tha ai.

Zogaj tha se reformimi i shumëpërmendur i partisë, jo çdo herë do të thotë se ka të bëjë me njerëz. Tha se për LDK-në kjo do të thotë reforma në procese.

“Është thënë në kuptimin e formës se si do veprohet në procese, se sa në ndryshim të thellë të partisë. Nuk është se po flasim gjithnjë për njerëzit, por edhe për proceset”, tha ai.