Arbëri

Pezullohet procedura për zgjedhjen e Sekretarit të MPJD-së, nuk tregohen arsyet

MPJD

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka pezulluar konkursin për sekretar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pozitë e cila prej korrikut të vitit të kaluar mbahet me ushtrues detyre. Derisa në MPJ kanë thënë se arsyet e pezullimit duhet të kërkohen te Ministria përgjegjëse për zhvillimin e procedurave të rekrutimit, në MPB nuk kanë ofruar sqarime

Është pezulluar procedura për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pozitë që prej muajsh mbahet me ushtrues detyre.

Pa dhënë ndonjë arsye, konkursin e ka pezulluar Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike më 26 mars, katër ditë pas votimit të qeverisë Kurti.

Në e-mailin që i është dërguar njërit prej kandidatëve, MPB vetëm ka njoftuar se thirrja është pezulluar me kërkesën e sekretarit të MPB-së.

“Ju informoj se me kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së, z. Lulzim Ejupi, pezullohet procedura e rekrutimit për pozitën - Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të cilën pozitë ju keni aplikuar. Për çdo informatë tjetër lidhur me zhvillimin e procedurës së rekrutimit për pozitën në fjalë do t’ju informojmë me kohë”, shkruan në njoftimin që ka siguruar “KOHA”.

“KOHA” ka pyetur në MPJD për arsyet e pezullimit të konkursit dhe nëse kjo është kërkuar prej tyre. Por kanë thënë se arsyet e anulimit duhet të kërkohen tek MPB-ja, që është institucion përgjegjës për zhvillimin e procedurave të rekrutimit të nivelit të lartë drejtues në institucionet e administratës shtetëror shpalljen e konkurseve.

Ndërkaq MPB-ja nuk ka ofruar sqarime të hënën.

Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, pranimi në këtë pozitë bëhet me konkurrim të organizuar ku fillimisht kanë të drejtë të marrin pjesë vetëm nëpunësit civilë ekzistues.

“1. Pranimi në një pozitë të kategorisë së lartë drejtuese bëhet me konkurrim të organizuar për çdo pozitë të lirë. Fillimisht, kanë të drejtë të marrin pjesë në konkurrim vetëm nëpunësit civilë ekzistues të kategorisë së lartë dhe të mesme drejtuese në të gjithë Shërbimin Civil”, thotë neni 40 i ligjit.

Ndërrimi i sekretarëve kur ndryshojnë partitë në pushtet është praktikë e ndjekur në të kaluarën.

Me një ekspres-rokadë, ish-ministrja Meliza Haradinaj në korrikun e vitit të shkuar kishte emëruar ushtrues detyre të sekretarit Shkëlzen Morinën, për të cilin ishte puna e parë në MPJ.

Nga pozita e drejtorit të Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, ministrja e kishte transferuar atë në Departamentin për Diplomaci Ekonomike në Ministrinë e Jashtme.

Pas vetëm dy ditësh, ishte avancuar në ushtrues detyre të Sekretarit të përgjithshëm në Ministri.

Emërimi ishte bërë pavarësisht faktit se brenda kësaj Ministrie ka qenë sekretar Fitim Sadiku, që kishte kaluar në listën tepricë pas riorganizimit të ministrive.

Sadiku ishte dërguar drejtor i Departamentit të Protokollit të Shtetit në të njëjtën ministri.

Probleme me pozitën e sekretarëve ka pasur edhe në ministritë e tjera.

Katër sekretarë të tjerë kishin mbetur pa vend pune pas reduktimit të numrit të ministrive. Duke qëndruar në shtëpi, ata kanë marrë pagë të plotë gjatë gjithë kësaj kohe e nuk janë sistemuar, ndonëse ka shumë pozita sekretarësh ose të barasvlefshme me të që funksionojnë me ushtrues detyre. 62 mijë euro është totali i shumës së paguar për këta zyrtarë, edhe pse nuk kanë punuar.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, ish-kryeministri Hoti ka hequr dorë nga përcaktimi për të mos i sistemuar zyrtarët e nivelit të lartë drejtues, përfshirë sekretarë të përgjithshëm të institucioneve, kryeshefa ekzekutivë e drejtorë agjencish, të cilët e kanë përfunduar mandatin pasi ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë.

Ri-sistemimit i ka paraprirë nxjerrja e një opinioni Ligjor nga Zyra e Kryeministrit.

“Në çdo rast kur mbaron mandati dhe nuk zbatohet rizgjatja e tij, njësia e pranimit (Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë), ka për detyrë që nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese, të emëruar sipas Ligjit për Shërbimin Civil, t’i emërojë në një pozitë të kategorisë së mesme drejtuese dhe pastaj në pozitë të kategorisë profesionale”, thuhet mes tjerash në këtë dokument të cilin e ka publikuar “KOHA”.