Arbëri

Abdixhiku: Nëse nuk tërhiqet ndryshimi në Ligjin për Zgjedhje, Kurti na dërgon në zgjedhje

Descriptive Text

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se partia e tij nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente në rast se kryeministri Albin Kurti nuk do ta tërheqë reformën në Ligjin për Zgjedhje.

Abdixhiku përmes një konference për media deklaroi se në rast që Kurti nuk e tërheq këtë ndryshim, atëherë po e bën me qëllim që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të krijojë vakuum institucional.

“LDK gjithmonë ka mbështetur reformat zgjedhore, nuk kemi ndonjë kundërshtim, por reforma duhet të jetë më e thellë sesa kaq. Nëse ky ndryshim nuk tërhiqet, kryeministri Kurti na dërgon në zgjedhje dhe krijon vakuum institucional”, u shpreh Abdixhiku.

Ai shtoi se kryeministri i Kosovës u përpoq të shantazhonte opozitën me fjalimin e tij në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në sallë për votimin e Osmanit si presidente. Sipas Abdixhikut, kjo tregon se Kurti nuk ka interes ta zgjedh Osmanin si presidente, por ta çojë vendin në zgjedhje.

“Partia në pushtet në mënyrë të paprecedentë, pa konsultim me partitë opozitare vendosi për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje. Ky ligj duhet të jetë pjesë e reformës zgjedhore, reforma të tilla bëhen me përfshirjen dhe sidomos nën drejtimin e opozitës. Me vendimet e sotme, VV-ja ka përjashtuar opozitën, shoqëritë civile. Veprime të sotme janë mënyrë e shantazhit. VV-ja po tregon se nuk është e zonja të përballet me problemet më fondamentale, siç është pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike. Kurti u përpoq të shantazhonte opozitën, duke thënë se nëse nuk votohet presidenti, vendi shkon në zgjedhje. LDK është treguar konstruktive dhe Kryesia e saj kishte vendosur për qëndrimin në sallë në seancën ku do të zgjidhjes presidentja. Shantazhi i sotëm tregon që Kurti ose nuk dëshiron ta zgjedh presidente Osmanin ose nuk është i gatshëm ta marrë drejtimin e shtetit. Rrezikojnë gatishmërinë për konstruktivitet. Në emër të LDK-së, i bëj thirrje kryeministrit Kurti dhe shumicës parlamentare të heqin dorë nga ky shantazh dhe nga logjika shantazhuese ndaj opozitës. I bëj thirrje që për këtë Ligj të bisedojë me opozitën dhe ngadalë të shkojmë drejt votimit“, ka thënë Abdixhiku.