Arbëri

Ministri Peci pezullon nga puna pesë zyrtarë të kësaj ministrie të dyshuar për korrupsion

Me kërkesën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është marrë sot vendimi për pezullimin e përkohshëm nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil të Kosovës për pesë zyrtarë të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë.

“Ky vendim është marrë si domosdoshmëri për zbatimin e bazës ligjore në fuqi, si dhe njoftimit të marrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të datës 03 mars 2021, për masat e ndërmarra ndaj këtyre zyrtarëve, të cilët dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet përgjegjëse.

Zyrtarët e pezulluar ishin arrestuar gjatë muajit shkurt nën dyshimin për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.