Arbëri

Të dielën do të arrijnë vaksinat anti-COVID në Kosovë

Të dielën pritet të vijnë dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit në Kosovë, ka bërë të ditur drejtori rajonal për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge.

Ai i ka kthyer përgjigjen një komentuesi në Twitter kur është pyetur se kur do vijnë vaksinat anti-COVID në Kosovë.

KOHA ka mësuar se rreth 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas do vijnë në përmes programit “COVAX”.

COVAX-i kishte premtuar mbi 100 mijë doza të vaksinës për Kosovën, që është vendi i vetëm në Evropë që ende s’ka nisur vaksinimin.

Autoritetet e Kosovës kishin premtuar nisjen e vaksinimit qysh për muajin shkurt, por kjo s’ishte realizuar.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 87 mijë e 67 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1830 kanë humbur betejën me virusin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka diskutuar me kryeministrin Albin Kurtin për shpërndarjen e vaksinave anti-COVID në Kosovë, ku ka paralajmëruar ardhjen e tyre për punonjësit shëndetësorë dhe njerëzit që kanë më tepër nevojë.