Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin qeveritar, kanë nisur detyrën me një vizitë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Pas homazheve te Jasharët, Kurti u shpreh se si kabinet e kanë vizituar Prekazin “për të kuptuar nga vijmë dhe për të ditur më mirë se kah duhet të shkojmë”.
Në 22-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, Kurti para mediave u shpreh se tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, e që rënia heroike e tyre ngriti në këmbë popullin shqiptar dhe i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare.
“Dje pranuam detyrën si qeveri e re e cila u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës të hënën mbrëma pasi që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit dhe sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat, ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit e bashkimit ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare e cila me 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, ka deklaruar Kurti. “Ne i kujtojmë me shumë dhimbje e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin dhe gjithë 59 anëtarët e kësaj familje, gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend ashtu sikurse edhe për shumë dëshmorë e martirë të tjerë ane mbanë Kosovës. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthemi e rikthehemi këtu në Prekaz për ta kuptuar se nga vijmë dhe për ta ditur më mirë se kah duhet të shkojmë. Lavdi Jasharave dhe gjithë dëshmorëve e martirëve”.
Kurti ishte në Prekaz edhe të martën, pak pasi mori detyrën e kryeministrit.