4 perditesime
19:29

Transporti publik në grevë - të premten protestohet me autobusë

Nga Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve kanë thënë se nuk do t’i ndalin grevat dhe protestat, përderisa Qeveria t’i përmbahet marrëveshjes për subvencionim të këtij sektori. Ndërkohë, nga Qeveria kanë thënë se nuk ka mjete për kompensimin e të gjitha humbjeve që kanë pasur bizneset

Marigona Brahimi

Transporti ndërurban dhe ai periferik urban, të mërkurën, janë futur në grevë të përgjithshme, duke lënë pa autobusë shumë udhëtarë, nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Vendimi për grevën që pritet të vazhdojë ditëve në vijim, është marrë nga Shoqata e Transportit Rrugor, pas moszbatimit të marrëveshjes nga ana e Qeverisë për subvencionimin e këtij sektori.

Për marrëveshjen e arritur me Ministrinë e Infrastrukturës, nga Ministria e Financave patën deklaruar se nuk ka mjete për realizim të kërkesave pasi që siç kishin thënë ata, kostoja e tyre sillej prej rreth 5 milionë eurosh. Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, ka bërë të ditur se grevat nuk do të ndalen, por vetëm pritet që forma e tyre të ndryshojë në protestë. Ai ka thënë se kërkojnë nga Qeveria që ta bëjë subvencionimin e kilometrit në bazë të rentës së udhëtimit për secilin operator, i cili është i licencuar dhe është i pajisur me rentë udhëtimi nga Ministria e Infrastrukturës.

“Greva do të vazhdojë edhe nesër, ndërkaq nga pasnesër do të ndryshojë edhe forma e grevës, pra do të kalojmë në protestë ku autobusët nga të gjitha rajonet e Kosovës do të defilojnë në Prishtinë, por pa e penguar komunikacionin, pa i penguar qytetarët”, ka thënë ai.

Pas veprimeve të Shoqatës, Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë, përmes së cilës ka theksuar se pandemia ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset.

“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (p.sh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50% të qirasë, pagesa e 170 eurove)”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Më tej, kryeministri Hoti ka kërkuar nga operatorët transportues të udhëtarëve që sa më parë t’i kthejnë shërbimet për qytetarët.

“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë t’i kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje sa më të favorshme”, shkruhet në komunikatë.

Kurtishaj ka thënë se transporti i udhëtarëve i ka respektuar të gjitha vendimet e Qeverisë, për mbrojtje nga pandemia COVID-19, edhe pse kanë pësuar nga to. Ai ka deklaruar se nuk do të takohen me kryeministrin pa ua plotësuar kërkesat e tyre dhe se në bazë të reflektimit të Qeverisë, do të ndërmerren edhe veprimet e ardhshme.

“Ne jemi të gatshëm të takohemi me Qeverinë në momentin kur e ndan buxhetin dhe fondin për mbështetjen e këtij sektori. Në të kundërtën, koha e premtimeve, koha e asaj pjesës kur duhet të ulemi të bëjmë marrëveshje ka kaluar, tashmë kemi një marrëveshje dhe pritet vetëm realizimi i marrëveshjes”, ka thënë ai.

Nga greva në transport janë prekur një numër i madh i qytetarëve, të cilët janë detyruar të gjejnë forma alternative të udhëtimit e që kanë qenë shumë më të kushtueshme.

16:06

Të premten kompanitë e autobusëve parakalojnë nëpër rrugët e Prishtinës

Prishtinë, (Ekonomia Online) - Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka marrë vendim që të premten të parakalohet rrugëve të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Arsyeja është mosrealizimi i premtimeve nga Qeveria e Kosovës karshi këtij sektori, që sipas Ruzhdi Kurtishaj, kreut të kësaj shoqate, ka pësuar më së shumti nga pandemia.

Kurtishaj, sqaroi se të premten nga ora 10:00 do të defilojnë nëpër rrugët e Prishtinës, për të përfunduar te ndërtesa e Qeverisë.

“Një prej sektorëve më të dëmtuar ka qenë ky. Kemi parë nga afër rrjedhën e grevës. Sapo përfunduam mbledhjen dhe morëm vendim që masat e marra të ndërmarra deri më tani nga dita e premte duke filluar nga ora 10:00 do të defilohet në Prishtinë për të protestuar para Qeverisë për moszbatim të marrëveshjes për pakon emergjente që do të na subvenciononte. Në bazë të reflektim të Qeverisë do të merren edhe vendimet tjera. Kemi unitet për të vazhduar grevën deri në realizimin përfundimtar të kërkesave tona. Dy ditët e para do të jenë vetëm grevë për shkak të pandemisë, greva do të vazhdojë edhe nëse kurse të premten autobus nga të gjitha komunat e Kosovës do të defilojnë në Prishtinë për të protestuar. Kërkesat tona i ka Qeveria dhe ne kemi zhvilluar dialog kemi qenë partner i qeverisë duke zbatuar të gjitha vendimet për masat e pandemisë. Koha e premtimeve dhe pjesës ku do te ulemi dhe të bëjmë marrëveshja ka kaluar, duhet zbatim i marrëveshjeve që kemi. Sot më së paku do të dëshironim të ishim në protestë”, tha Kurtishaj.

Gjatë së mërkurës asnjë autobusë nuk ka qarkulluar nga Prishtina për në qytetet e tjera të vendit, pas vendimit të fundit të kësaj shoqate për protestë.

09:28

Qeveria i drejtohet transportit publik: E pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje të bizneseve

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve të ndërpresë grevën dhe të kthejë shërbimet për qytetarët duke thënë se sektori i transportuesve ka përfituar nga masat e Qeverisë nga programi i rimëkëmbjes.

Siç thuhet në një komunikatë nga Qeveria të mërkurën, për këta transportues janë ndarë nga 290 euro për numër të të punësuarve, pagesa e 50 për qind të qirasë dhe pagesa e 170 eurove.

Ndërkohë Qeveria në arsyetimin e saj ka thënë se është e gatshme të diskutojë me përfaqësuesit e këtij sektori për të gjetur një zgjidhje e duke shtuar se “pandemia Covid-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset”.

09:07

Nis greva në transportin publik, paralajmërohen masa të tjera

Ka nisur greva në transportin publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në Kosovë për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit. Nga shoqata kanë paralajmëruar edhe forma të tjera të protestës.

Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj ka thënë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës e ka pasur kohën e duhur në dispozicion për të reflektuar për të përmbushur këtë marrëveshje.

Në rast të mungesës së një përgjigjeje nga ana e qeverisë, Kurtishaj paralajmëroi se do të ndërmarrin hapa të tjerë, duke nisur mbi 1 mijë autobusë drejt objektit të qeverisë.

“Sot ka filluar edhe greva, protesta e të gjithë operatorëve të sektorit rrugor të udhëtarëve. Vlen të theksohet se është një unitet i paparë deri më sot, është një protestë më se legjitime, është një grevë e cila vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar, pas moszbatimit të kësaj marrëveshjeje, pas një dialogu publik-privat”, ka thënë ai.

Ai bëri të ditur se të mërkurën pasdite do të takohet këshilli drejtues i shoqatës për të diskutuar për mbarëvajtjen e protestës dhe për të shqyrtuar hapat që do të ndërmarrin ditëve në vijim.

08:08

​Protestë, sot nuk do të ketë transport të udhëtarëve në Kosovë

Duke filluar nga sot nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në gjithë vendin për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.

Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj tregoi të martën për KosovaPress se të mërkurën që në mëngjes do të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues të Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve për të hyrë në grevë përkatësisht në protestë për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes për mbështetje apo subvencionim të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus.

Sipas tij Qeveria në detyrë, ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i realizuar kërkesat e transportuesve publik, dhe për këtë siç thekson ai deri tash kjo e fundit nuk ka reflektuar. Teksa shton se nuk ka asnjë dyshim që do të mbahet sot protestë.

Kurtishaj theksoi se ky sektor ka pasur humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të vendimeve të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Ai po ashtu thekson se protesta do të nis nëpër stacione të autobusëve, derisa të përmbushen kërkesat e premtuara nga Qeveria.

Kjo shoqatë pret që të gjithë operatorët e transportuesit publik sot do të marrin pjesë në protestë.