2 perditesime
16:31

Përfundon rinumërimi i votave me kusht dhe të diasporës për kandidatët e AAK-së

Prishtinë, 9 mars (Ekonomia Online) - Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar se ka përfunduar rinumërimi i fletëvotimeve me kusht dhe atyre me postë për kandidatët e AAK-së, raporton Ekonomia Online.

Elezi tha se janë 134 vendvotime që kanë shkuar në rinumërim me vendim të PZAP-së, dhe 7 të tjera janë me vendim të KQZ, që në total janë 141 vendvotime.

Sipas tij, në vazhdim do të rinumërohen votat edhe në vendvotime të tjera për të cilat ka vendosur PZAP-ja.

“Në QNR, KQZ -ja është duke vazhduar vendimet e PZAP-së për rinumërimin e votave të vendvotimeve te caktuara pas ankesave të kandidatëve. Dje kemi filluar numërimin e votave me kusht, sot në mesditë kemi përfunduar numërimin e votave nga jashtë. Kemi numëruar vetëm votat e kandidatëve për deputetë të AAK-së. Ne vazhdim duhet numëruar votat e vendvotime të tjera, 134 vendvotime për të cilat ka vendosur PZAP-ja dhe 7 me vendim të KQZ-së ato do të rinumërohen në QNR. E rëndësishme se ky proces do të përfundojë së shpejti, bëhet fjalë vetëm për rinumërim të votave të AAK-së. Sa u përket rezultateve të cilat janë rinumëruar në QNR do të publikohen në një kohë sapo të jenë të gatshme, sapo të përfundojnë të gjitha procedurat në QNR”.

15:30

Ende s’ka përfunduar rinumërimi i votave të AAK-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vijuar procesi i rinumërimit të votave të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Rinumërimi po bëhet në 134 vendvotime me vendim të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa ndërsa në 7 të tjera po bëhet me vendim të KQZ-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se procesi i rinumërimit pritet të përfundojë së shpejti pasi janë duke u rinumëruar vetëm votat e njërës parti, AAK-së.

“Kemi të bëjmë me rinumërim të pjesshëm dhe kjo do përfundojë brenda një kohe të shkurtër”, ka deklaruar Elezi.

PZAP-ja gjatë së hënës ka vendosur për rinumërim të votave të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas ankesës së kandidates për deputete nga kjo parti, Florentina Gjergjaj, e cila ka thënë se kandidatja tjetër, Meliza Haradinaj-Stublla ia ka vjedhur votat.

Haradinaj-Stublla kishte paralajmëruar padi ndaj Gjergjajt ndërsa sot ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres në detyrë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe nga AAK-ja.

10:08

PZAP-ja çon në rinumërim 134 vendvotime

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të rinumërohen 134 vendvotime.

“Rezultati që del nga rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të përfshihet në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e tyre.

Paneli nuk ka treguar se cilat vendvotime do rinumërohen dhe nuk ka thënë nëse votat që do rinumërohen janë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

PZAP-ja dje ka aprovuar ankesën e Florentina Gjergjajt të AAK-së, që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, sa i përket kandidatëve të AAK-së. Gjergjaj kishte akuzuar publikisht bashkëpartiaken Meliza Haradinaj-Stublla se ia kishte vjedhur votat, derisa kjo e fundit kishte paralajmëruar se do ta padiste Gjergjajn.

Sot, pas gjithë kësaj situate, Meliza Haradinaj-Stublla dha dorëheqje nga AAK-ja, dhe nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme.