Arbëri

Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga MPJ-ja dhe AAK-ja

Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga MPJ-ja dhe AAK-ja
Foto: Driton Paçarada / KOHA
 

Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas skandalit lidhur me votat në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj-Stublla ka thënë se jep dorëheqje për shkak se ndodhet “në një skemë piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit e shantazhit”.

“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”, ka shkruar ajo.