Arbëri

Demi: VV-ja i ka numrat për të qeverisur një mandat të plotë

Analisti Agron Demi vlerëson se qeveria e re me Vetëvendosjen si fituese e zgjedhjeve do të formohet lehtë dhe do të ketë mandat të plotë 4-vjeçar.

“Me 58 mandate plus gjashtë të minoriteteve pa i llogaritur ato katër që po dyshohet se po i kontrollon Lista Serbe, do të ketë numra të mjaftueshëm jo vetëm për të krijuar qeverinë por për të qeverisur për katër vjet mandat të plotë dhe për të shty çdo politikë që e ka premtuar VV-ja gjatë fushatës zgjedhore”, tha ai.

Demi thotë se rezultatet përfundimtare nuk kanë qenë të befasishme dhe janë komentuar që do jenë të ngjashme, por shton se pritja ishte të shihej sa deputetë do të jenë nga Lista Vjosa. Sipas tij, Vjosa Osmani nuk do ta kishte suksesin si tash, nëse do të garonte e vetme.

“Rezultatet përfundimtare nuk dallojnë nga ato që kemi komentuar, nga një deputet ka lëvizë tek VV-ja, PDK dhe AAK. Atë që e kanë pritë shumë qytetarë është se kush do jetë deputet nga lista dhe sa do marrë lista Vjosa në kuadër të LVV-së. Nëse do dilte e vetme nuk do ta merrte gjithë këtë sukses që e ka pasë në kuadër të listës së VV-së sepse sado që e përkrahin Vjosën, prapë kanë qenë të vendosur për ta dhënë përkrahjen për një parti që mund të sjellë ndryshim”, tha ai.

Demi thotë se votuesit e LDK-së të cilët këto zgjedhje shprehën pakënaqësi ndaj partisë me votat e tyre, kanë kaluar në VV falë Osmanit.

“Votuesit e LDK-së që kanë qenë të pakënaqur dhe ndoshta nuk do kishin votuar për VV-në nëse nuk do ishte Vjosa, kanë kaluar në VV falë Vjosës. Nuk ka asnjë problem që VV të krijojë qeverinë e vetme dhe sa më shpejt”, tha ai.