Arbëri

Fotot e ryshfetit brenda Ministrisë së Bujqësisë

Për rreth dy muaj zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, të arrestuar të mërkurën, kanë marrë ryshfet shuma të ndryshme të parave nga ndërmjetësit me qëllim të përzgjedhjes së përfituesve të subvencioneve.

Organet e hetuesisë një pretendim të tillë, siç ka mësuar KOHA, do të tentojnë që ta argumentojnë përmes video-incizimeve e fotografive nga momenti i dhënies së ryshfetit.

Nga burime të saj, KOHA ka siguruar dy fotografi që janë bërë në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë e ku shihet një zyrtar duke marrë para.

Njëra foto është bërë me datë 3 shkurt në orën 14:34. Një person fytyra e të cilit nuk vërehet në foto i ofron njërit prej zyrtarëve të arrestuar një tubë me para. Në tavolinën e cila gjendet në këtë ambient vërehen qartë dokumente me logo të institucioneve.

Në të njëjtën zyre, KOHA ka siguruar edhe një tjetër foto ku shihet zyrtari i njëjte duke marrë para.

Image

Kjo foto është nxjerrë nga videoja e bërë më datë 12 shkurt, rreth orës 15 e 40. Aty shihet zyrtari duke pranuar 200 euro.

Dje është zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë nga i cili janë arrestuar 11 persona për keqpërdorim të subvencioneve dhe ryshfet.

Të arrestuarit të premten do të dalin para gjyqtarit në seancën për caktimin ose jo të masës së paraburgimit.