Orari i punës për zyrtarët e Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë mëngjesin e së mërkurës nuk ishte i zakonshëm.
Pjesëtarë të shumë të Njësisë speciale dhe krimeve ekonomike qysh në orën 8 të mëngjesit kanë bastisur zyrat e kësaj Agjencie.
Pas një orë bastisjeje, pjesëtarë të krimeve ekonomike nga këtu kanë nxjerrë dosje të shumta.
E vetëm gjysme ore më vonë, 4 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në mesin e tyre edhe u.d. së kryeshefit të Agjencisë A. B. janë nxjerrë nga ky objekt, por që vetëm A.N. është shoqëruar pa pranga për në Stacionin Policor.
Aksione në kohë pothuajse të njëjta janë zhvilluar edhe në Komunën e Lipjanit, Istogut, Podujevës e Gjilanit, ku u arrestuan 12 persona, 10 prej tyre zyrtarë të institucioneve e 2 civilë.
Ata u arrestuan me dyshimet se kanë kryer keqpërdorime me subvencion, marrje e dhënie ryshfeti.
Në mesin e të arrestuarve është edhe një zyrtar i cili ka një aktakuzë tjetër të ngritur për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjatë këtij aksioni policia gjatë bastisjeve në disa prej lokacioneve ka arritur të sekuestrojë rreth 400 mijë euro, të cilat u gjeten në një tualet në shtëpitë e të dyshuarve. Policia gjithashtu ka konfiskuar 6 vetura.
Vetëm disa orë pas këtij aksioni kryeprokurori i Shtetit në një konference të jashtëzakonshme ka folur për masat e fshehta të aplikuara për këtë hetim, i cili kishte nisur në janar të këtij viti.
“Gjatë këtyre veprimeve kemi sekuestruar shumë të mëdha të të hollave, vetura, kompjuterë e telefona. 12 janë të arrestuar, 10 janë zyrtarë dhe dy qytetarë që u kanë ndihmuar këtyre në forma të ndryshme. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit”, ka deklaruar kryeprokurori Aleksandër Lumezi.
“Rreth 400 mijë euro janë gjetur në bastisjet e sotme. Paratë janë marrë si ryshfet....”, ka drejtori i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti.
E në orët e pasdites ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka thënë se do të ofrojë bashkëpunimin e tij për këtë hetim derisa ka shtuar se nuk e sheh të arsyeshme të japë dorëheqje pas këtij aksioni.
“Aksioni si i ky i sotëm duhet të përjetohen si ditë të mira, ku qartësohen gjërat dhe drejtësia e kryen punën e saj. Unë për shkak se hetimet janë duke vazhduar, nuk do të komentojë asgjë dhe do të jem i rezervuar në komente”, deklaroi Mustafa.
Aksioni sipas Prokurorisë së Shtetit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.