Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar duke thënë se është e domosdoshme që pas shpalljes së rezultateve preliminare, organet e hetuesisë të hetojnë dyshimet e ngritura nga kandidatët dhe partitë politike të komunitetit joshumicë për manipulim të votave nga Serbia dhe Lista Serbe.
KMDLNj kërkon që të bëhet rinumrimi i votave në të gjitha vendvotimet ku dyshohet se ka pasur vota të kontrabanduara e që kanë ndikuar në rezultatin e kandidatëve për komunitetin jo – shumicë, që në rastin konkret janë dëmtuar duke u eliminuar nga mundësia të përfaqësojnë komunitetin që i takojnë.
“Partitë jo-shumicë duhet ta ndjekin rrugën ligjore, pas certifikimit të rezultateteve në mënyrë që t’i mbrojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe, në këtë drejtim do ta kenë përkrahjen e parezervë të KMDLNj -së. Nëse edhe pas këtij krimi elektoral që paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë, përmes Listës Serbe, kalohet pa ndërmarrë veprime ligjore dhe kushtetusese , atëherë do të përligjet një precedent shumë i rrezikshëm që, në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë, varësisht se sa deputetë do të kontrollohen nga Lista Serbe, përfaqësuesit e komuniteti joshumicë do ta pësojnë fatin e partive politike serbe në Kosovë të cilat, thuaja janë përjashtuar nga procesi politik dhe vendimmarrja për fatin e serbëve që janë integruar apo duan të integrohen në Kosovë. Kjo nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë, në të kundërtën edhe procesi i votimit, sidomos për pjesëtarët e komunitetit joshumicë nuk do të ketë kuptim për faktin se për votat e tyre do të vendoset në Beograd dhe jo në Prishtinë”, thuhet në reagim.