Aktivistja politike në Shqipëri, Sidorela Vatnikaj, ka vlerësuar se në protestat e dhunshme që o mbahen tash e tri ditë në Shqipëri mund të ketë grupe të infiltruara nga ana e Qeverisë Rama për të sulmuar biznese të caktuara dhe godinat.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Vatnikaj ka thënë se megjithatë nuk duhet harruar që kjo revoltë është pasojë e një pakënaqësie e akumuluar në shoqëri.
“Edhe protesta e thirrur nga studentët është në të njëjtën frymë, është protestë e nisur nga ta, pa diskutim që me aktet e fundit vandale unë nuk e përjashtoj që mund të ketë edhe grupe të infiltruara që tentojnë ta bëjnë pis edhe këtë protestë. Mund të ketë grupe të infiltruara nga ana e qeverisë për të thyer biznese të caktuara, ose për të sulmuar godina të ndryshme, por në asnjë moment nuk duhet harruar që kjo revoltë ka filluar që më 31 maj”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka thënë se protestuesit e kanë dhënë mesazhin e tyre që do të jenë në rrugë derisa të dorëhiqet kryeministri Edi Rama.
“Jemi mësuar me kryeministrin, i cili edhe protestat tona që në ditën e parë të qershorit është munduar t’i demonizojë duke thënë se janë të organizuara nga agjentura të huaja, pastaj që janë të organizuar nga njerëz të paguar, ka pasur vazhdimisht tentativa për të demonizuar këtë lëvizje sociale, por duke refuzuar që të shohë të vërtetën, duke refuzuar që të shohë se këta janë të lodhur, të mllefosur, që nuk i besojnë më e që nuk e duan më”, është shprehur ajo.
Vatnikaj ka shtuar se nga kryeministri Rama ka pasur vazhdimisht përpjekje për ta demonizuar këtë protestë të nisur nga muaji maj.
Gjeta: BE-ja është bashkëfajtore në dështimin e Shqipërisë për të ndërtuar demokracinë
Politologu Altin Gjeta ka akuzuar Bashkimin Evropian për bashkëfajësi në, siç ka thënë ai, dështimin e Shqipërisë për të ndërtuar demokraci dhe institucione funksionale në këtë vend.
Në një lidhje direkte në emisionin “Interaktiv” në KTV, Gjeta ka thënë se BE-ja është fajtore për ngecjen e Shqipërisë sa i përket funksionalitetit të demokracisë, duke theksuar se ky vend po rrëshqet gjithnjë e më shumë në autokraci.
Andaj sipas tij, BE-ja reagon në atë mënyrë që i akuzon të dyja palët.
“Bashkimi Evropian dhe faktori i rëndësishëm perëndimor në Tiranë kanë reaguar sot me deklarata që janë të ngjashme si dy pika uji në gjuhën diplomatike, ku gjithnjë akuzojnë të dyja palët, nuk theksojnë problemet e thella me të cilat përballet Shqipëria, mungesën e demokracisë funksionale, llogaridhënies, përgjegjshmërisë. Pse Bashkimi Evropian sillet në këtë formë? Sepse procesi i integrimit të Shqipërisë nuk ka qenë transformues, edhe vetë BE-ja është fajtore në këtë ngecje të Shqipërisë në këtë spirale hibriditeti, ku nuk është demokraci funksionale, por ka rrëshqitur gjithnjë e më shumë në një autokraci. Ata në njëfarë mënyre janë bashkëfajtorë në dështimin e Shqipërisë për të ndërtuar institucione funksionale, për të ndërtuar demokraci dhe për të avancuar në një proces transformues së brendshmi fillimisht dhe jo në një proces që derisa flasim sot mbetet formal”, ka thënë ai.