13 perditesime
00:23

Numërohen mbi 80 për qind të votave

Ka përfunduar numërimi i më shumë se 690 mijë vota nga 843 mijë sa janë regjistruar në votimin e rregullt deri në orën 19:00 në zgjedhjet e përgjithshme. Nga më shumë se 80 për qind e votave të numëruara, VV-ja prin me 47.75 për qind të votave.

Shumë prapa ngelet PDK-ja me 17.33. LDK-ja ka 13.36 ndërsa AAK-ja 7.56. Nisma mbetet nën prag.

23:15

Numërohen mbi 70 për qind e votave, VV-ja ruan diferencën e thellë

48.12 për qind e më shumë se 594 mijë votave të numëruara deri tash janë për Lëvizjen Vetëvendosje, sipas të dhënave të KQZ-së nga numërimi i më shumë se 70 për qind të votave.

Sipas rezultateve aktuale, PDK-ja ka 17.54 për qind të votave, ndërsa LDK-ja 13.35. AAK-ja është partia e katërt me 7.44 për qind. Nisma ngelet nën prag.

22:42

Numërohen mbi 530 mijë vota

Janë numëruar më shumë se 530 mijë vota, me Lëvizjen Vetëvendosje që mbetet në mbi 48 për qind të votave të deritashme.

PDK-ja është nën 18 për qind, ndërsa LDK-ja ka 13.48 për qind. AAK-ja është pak mbi 7.5 e Nisma larg pragut.

22:20

Numërohen më shumë se gjysma e votave, VV-ja i afrohet 50-përqindëshit

Janë numëruar 447 mijë vota nga 843 mijë, për tri orë pas mbylljes së vendvotimeve. Nga ky numërim, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të thellojë diferencën me të tjerët, duke iu afruar 50-përqindëshit. Aktualisht kjo parti prin me 48.35 për qind, duke lënë shumë prapa PDK-në që ka 18.05 për qind e LDK-në që ka 13.62. AAK-ja ka 7.74 për qind e Nisma 2.55.

22:06

Mbi 400 mijë vota të numëruara, VV-ja mbi 48 për qind

Mbi 48 për qind të 400 mijë votave të para të numëruara janë për Lëvizjen Vetëvendosjen. Nga 407 mijë e 254 votat e numëruara, partia e udhëhequr nga Albin Kurti po prin me 195 mijë e 791 vota.

Pason PDK-ja me 18.36 për qind, ndërsa LDK-ja ka 13.64. AAK-ja është aktualisht me 8.06 për qind të votave.

21:46

LDK-ja dështon në bastionet e saj, nuk udhëheq në asnjë komunë

Lidhja Demokratike e Kosovës në bazë të të dhënave të numëruara deri tash nuk udhëheq në asnjë komunë. Madje ajo është në vendin e dytë apo të tretë edhe në komunat ku udhëheq në nivel komunal.

Madje ajo s’është e para as në komunat ku fitoi pa balotazh në zgjedhjet e fundit lokale. Ajo është prapa Vetëvendosjes në Pejë e Lipjan. Ajo është mbrapa edhe në Gjilan, ndërsa prapa VV-së ka mbetur edhe në Istog.

21:36

Numërohen mbi 300 mijë vota, VV-ja thellon diferencën

Lëvizja Vetëvendosje ka thelluar diferencën me partitë tjera, teksa janë numëruar 307 mijë vota, sipas uebfaqes së KQZ-së.

Me këtë shifër të votave të numëruara, VV-ja ka arritur në 47.7 për qind, teksa PDK-ja mbetet e dyta me 18.66. LDK-ja është e treta me 13.75 për qind. AAK-ja ka 8.52 për qind, ndërsa Nisma mbetet nën 2.7.

21:14

Në më shumë se 200 mijë vota të numëruara, VV-ja më shumë se PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja bashkë

Image

Nga numërimi i më shumë se 200 mijë votave deri tash, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të thellojë diferencën me partitë pasuese. Ajo tash ka 46.58 për qind të votave, apo më shumë se tri partitë tjera të mëdha bashkë. PDK-ja ka 18.95 për qind, LDK-ja 13.89 e AAK-ja 8.64 për qind.

21:07

Numërohen 20 për qind e votave, VV-ja mbi 45 për qind

Image

Janë numëruar më shumë se 20 për qind e totalit të votave. Këto vota e nxjerrin Vetëvendosjen të parën me 45.52 për qind të votave. PDK-ja është e dyta me 18.92 për qind. LDK-ja mbetet e treta me 13.84. AAK-ja ka nën 8 për qind, ndërsa Nisma sërish nën 3.

Në këtë përllogaritje janë të numëruara më shumë se 170 mijë vota.

21:00

Suhareka lë PDK-në e Hoxhajt në vendin e katërt

Image

Suhareka, komuna ku ka lindur kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka lënë këtë parti dhe kandidatin e saj në vendin e katërt.

Deri tash janë procesuar mbi 50 për qind të vendvotimeve në këtë komunë, me Lëvizjen Vetëvendosje që prin me 37.62 për qind. AAK-ja e kryetarit të komunës, Bali Muharremaj, është e dyta me 21.18 për qind. LDK-ja ka 18.5 për qind e PDK-ja 17.33 për qind.

20:48

Numërohen mbi 100 mijë vota, VV-ja gati 50 për qind

Janë numëruar 100 mijë votat e para nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas të dhënave publike, Lëvizja Vetëvendosje prin me 44.65 për qind të votave deri tash. Pas saj vjen PDK-ja me mbi 18 për qind, LDK-ja me gati 14 për qind, AAK-ja me nën 10 e Nisma mbetet me më pak se 3 për qind.

20:42

Në Prishtinë nis numërimi, VV-ja prin me mbi 60 për qind

Ka nisur numërimi i votave edhe në kryeqytet. Nga numërimi i rreth dy mijë votave të para, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 63.7 për qind të votave, e ndjekur nga LDK-ja me 18.92 për qind të votave, e PDK-ja me 10.96 për qind.

20:34

Numërohen mbi 50 mijë vota, VV-ja prin bindshëm

Janë numëruar më shumë se 50 mijë vota deri tash, me Lëvizjen Vetëvendosje që deri tash po prin me më shumë se 43 për qind të votave, apo gati 23 mijë vota.

PDK-ja ka marrë gati 10 mijë vota apo 18.53 për qind, ndërsa LDK-ja ka rreth 14 për qind.

Nisma është nën tre për qind.

20:20

Nis numërimi, dalin rezultatet e para

Ka nisur zyrtarisht numërimi i votave në zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas uebfaqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tash janë procesuar 66 mijë vota. Vetëvendosje në publikimin e parë ka rreth 40 për qind, PDK-ja 20.01, e LDK-ja 13.54.