7 perditesime

Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qytetarët gjatë kohës sa kanë qenë në pandemi, kanë pasur një fokusim më të madh në proceset që po kalon vendi.

22:22

Haradinaj: Askush s’do të mund ta formojë Qeverinë vetë

Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë në emisionin Zgjedhjet në KOHË të KTV-së se as në zgjedhjet e 14 shkurtit askush nuk do t’i fitoj dy të tretat e votave.

Sipas tij, për këtë arsye, ai që fiton shumicën e votave nuk duhet të tregojë arrogancë dhe duhet t’i ruajë aleatët pasi Kosova në këtë situatë që është nuk duhet të vonohet në formimin e Qeverisë së re.

“Nuk guxojmë ta lëmë gjatë vendin pa institucione. Testi i parë do të jetë sigurimi i dy të tretat e votave për zgjedhjen e presidentit. Pasojat janë të rënda për vendin nëse nuk arrihet kjo. Duhet ta gjejmë formulën së bashku. Unë kisha bërë kujdes, nuk kisha tregu arrogancë. Askush s’do t’i fitoj dy të tretat, duhet të bëjmë kujdes. Nuk duhet të përsëriten situatat si në të kaluarën. Ndodhi ajo që ndodhi nga zgjedhjet e kaluara pasi Vetëvendosja nuk kishte aleatë”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka folur edhe për deklaratat e tij për bashkim me Shqipërinë duke thënë se kjo mënyrë se si e ka shpalosur idenë e tij nuk përbën kërcënim.

22:09

Haradinaj shpalos planet për Presidencë dhe bashkim me Shqipërinë

Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai nuk e synon ndonjë post tjetër pos atij të presidentit.

Ai ka thënë se duan të marrin përgjegjësi në qeverisje dhe se nuk kanë vija të kuqe me askënd.

“Kur një parti merr një besim të caktuar qytetarët presin efekte. Ne kemi dhënë qartësi me një plan, kemi thënë që nuk bllokojmë ecjen përpara të vendit dhe nuk kemi vija të kuqe, ndërsa kur vjen puna me udhëheqë qeverinë nuk e synoj, synoj postin e presidentit. Kjo arrihet me koalicion”, ka thënë ai.

Haradinaj thotë se koncentrimi i tri pushteteve te një parti e prish ekuilibrin e shtetit.

Ai ka thënë se presidenti është partner i të gjitha institucioneve. Sipas tij, kjo pozitë është roje i sigurisë së shtetit.

Haradinaj tutje ka shtuar se gjatë qeverisjes ka qenë i sfiduar dhe ishte një marrëdhënie e vështirë për të me hasë në konflikt me ish-presidentin Thaçi për shkak të koalicionit me PDK-në.

Ai ka thënë se ka kaluar rreziku për shkëmbim territoresh, porse duhet pasur kujdes.

“Nuk është me e neglizhu dëshirën e oponentëve të Kosovës që vendi ynë të jetë i dështuar. Ne duhet të bëjmë kujdes që të mos konfirmohen tezat e tilla. Nëse ka udhëheqës të institucioneve që qojnë sinjale të gabuara për marrjen vesh me Serbinë, i bëjmë dëm vetës. Nuk guxojmë pakufi ta tolerojmë Serbinë të na bllokojë. Serbia e ka një strategji të qartë të bllokimit tonë, që me na lodhë. Që të dalim nga kjo situatë ne duhet të lëmë një afat kohor për hyrjen në NATO. Duhet me lidh me një projekt serioz dhe ai është anëtarësimi në NATO. Ne me këtë tregojmë që duke qenë të këtij krahu, e refuzojmë zgjatjen të pakohë të Serbisë”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shtuar se edhe Spanja e Sllovakia, Rumania e presin Serbinë deri ta njohë Kosovën. Sipas tij, ky është paralajmërim për të gjithë.

Haradinaj ka sqaruar se ideja është që me Shqipërinë të bashkohen në union.

“Ne po i paralajmërojmë aleatët tonë me i bë kalkulimet e veta, nuk po japim ultimatum. Në rast se duke lajmëruar një union, ne kemi kohë deri ditën e referendumit të hyjmë në NATO. Unë jam më shumë i bindur se do të hyjmë në OKB e NATO si Kosovë, por ekziston ndrojtja për shkak të gjendjes së fundit që po ndodhë”, ka thënë ai.

Ai thotë se ka qenë gabim që në dialog nuk ka pasur afate.

Ai ka thënë se në politikën e jashtme e përcjellin Amerikën. Sipas tij, Bashkimi Evropian po vonohet me Kosovën dhe nuk e ka situatën e mirë që të japë këshilla.

Haradinaj thotë se beson në lidershipin gjerman.

“Kosova në kapacitetin e vet e ka kryer një pjesë të madhe të punës. Ka një lodhje të evropianëve me zgjerim, emigracion e liberalizim. Franca ishte skeptike. Mua më patën thënë se po kalojmë në etapën e lëvizjes së lirë dhe nuk ndodhi ashtu. Merkel është në dijeni të vështirësive që ka Kosova me liberalizim të vizave. Nëse i krijojmë institucionet shpejtë, ka mundësi që të ketë lëvizje në këtë drejtim”, ka thënë ai.

21:52

Haradinaj për mini-schengenin: Është gjë e keqe, përfiton Serbia

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, konfirmoi se partia e tij për një moment kishte dalë nga koalicioni me LDK-në, më 4 shtator, kur pritej të firmoseshin zotimet ndaj SHBA-së në Washington.

Haradinaj tha se shkas ishte teksti për liqenin e Ujmanit, që e bënte hisedare të barabartë Serbinë.

Sipas tij, më pas teksti u ndryshua dhe tash është i pranueshëm për të dhe AAK-në. Haradinaj, i ftuar në KTV, tha se është një pikë tjetër ku nuk pajtohet nga ajo që është nënshkruar në Washington nga kryeministri Avdullah Hoti – mini-schengeni.

“Problemi ynë është mini-schengeni, është një ide që përfiton vetëm Serbia, merr krejt privilegjet në rajon. Do të ishte shumë më e pranueshme që të bëhej njohja e Kosovës, apo të afrohej kjo njohje dhe më pas të ndodhte mini-schengeni. Këtu i kemi shqetësimet tona”, tha Haradinaj.

Dy ditë më parë, kandidati i LDK-së për kryeministër, Hoti, tha se në Washington nuk është ndërruar asnjë presje nga ajo që është firmosur, gjë që Haradinaj tha se po.

“Ne vetëm kishim dalë nga koalicioni, por ndodhën disa ndryshime dhe e bën të pranueshme marrëveshjen për çështjen e liqenit të Ujmanit. Nuk shohim ndonjë të keqe nga fizibiliteti që ia kemi lënë SHBA-së. Nuk del ndonjë obligim. Ndërkohë që më herët thuhej se Kosova e Serbia duhet të merren vesh për shfrytëzim të përbashkët të liqenit”, shtoi Haradinaj.

21:43

Haradinaj: Refuzimi opozitar për Zajednicën dhe demarkacionin nuk është dashur të kualifikohet si vepër penale

Kandidati i AAK-së për president, Ramush Haradinaj ka thënë në Zgjedhjet në KOHË se refuzimi opozitar për Zajednicën dhe demarkacionin nuk është dashur të kualifikohet si vepër penale pasi siç ka thënë, ka pasur argument politik për këtë kundërshtim.

Këtë deklaratë Haradinaj e bëri duke aluduar në mos certifikimin si kandidat për deputet të liderit të VV-së, Albin Kurti nga KQZ-ja për zgjedhjet e 14 shkurtit për shkak të dënimit të tij për këto kundërshtime.

Haradinaj tha se nuk është në rregull që Kosova ka ardhur deri tek situata kur lideri i opozitës të mos lejohet të kandidoj për deputet.

“Mendoj që qasja ndaj refuzimit opozitar për Zajednicën dhe demarkacionin nuk është dashur të kualifikohet si vepër penale sepse ka pasur argument politik, në bazë të demokracisë kemi besuar se po mbrojmë interesat e demokracisë. Nuk është mirë që na ka ardhur puna kështu. Unë nuk e shoh fort në rregull, kur demokracia njerëzve tona ua krijon një ndjenjë që me demokracinë e tyre nuk janë të barabartë sepse ata vetvetiu i bëhen armiq vlerave të vendit të vetë. Dëshira për të aplikuar standard të lartë ligjor dhe në bazë të tij me lënë liderin e opozitës jashtë zgjedhjeve është gabim”, është shprehur Haradinaj.

21:36

Haradinaj: Nuk duhet të ketë aq shumë zëvendësministra siç kisha unë

Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet pasur Qeveri të madhe siç ka pasur ai gjatë kohës sa ka qeverisur, porse zvogëlimin e Qeverisë nuk e sheh si zgjidhje.

“Nuk duhet pasur numër të madh të zëvendësministrave sikur unë atëherë se nuk është në rregull. Por nuk duhet menduar që e ndihmojmë Kosovën nëse e zvogëlojmë Qeverinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, më mirë është të jenë të veçuar sektorët sepse funksionimi i tyre është më i mirë.

Haradinaj ka thënë se turizmi është sektor i cili mund të krijojë vende të reja të punës, pasi si i tillë është i kërkuar. Ai thotë se do të kishte propozuar që të bëhet një ministri e veçantë e Turizmit.

Ai ka përmendur edhe sektorin e gastronomisë, duke shtuar se ka pasur hapësirë për t’u gjetur një zgjidhje gjatë kohës së pandemisë.

21:34

Haradinaj nuk heq dorë nga autostrada e Dukagjinit

Lideri i AAK-së dhe kandidati i kësaj partie për president, Ramush Haradinaj, vlerëson se Kosova duhet të koncentrohet në rinovimin dhe ndërtimin e linjave të reja hekurudhore. Thotë se ka ardhur koha e tyre. Ndërkohë, thotë se ka ardhur edhe koha e autostradës së Dukagjinit, projekt i shumëkritikuar nga analistë e parti të tjera, por i përkrahur fuqishëm nga AAK-ja.

Haradinaj në një intervistë në KTV, tha se autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, por për nisjen e saj duhet të pritur viti i ardhshëm.

“Këtë vit nuk do ta rëndojmë buxhetin e Kosovës, pasi është pandemi dhe ka mungesë ta parave. Por, vitin tjetër shpresoj se do të nis. Nuk kanë mbetur edhe shumë rrugë pa u kryer. Është kjo e Dukagjinit”, tha Haradinaj.

Projekti për autostradën e Dukagjinit në dy raste është paraparë edhe në buxhetin e Kosovës, që ishte kusht i AAK-së për votim të tij, por më pas është lënë anash si projekt për shkak të kostos së madhe.

Ai ka folur edhe për linjat hekurudhore, që sipas tij, tash janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

“Gjendja e tyre nuk është e mirë, janë të papërdorshme, por falë një programi me BE-në po i riaftësojmë për shpejtësi deri në 120 km, nuk janë të kohës, por bën të përdoren. Linja për Shkup është duke u rinovuar, pastaj do të bëhet për veri e Pejë, duhet më e shtri rrjetin e hekurudhave, kilometri nuk është i kushtueshëm, por është shumë i përdorshëm”, ka thënë Haradinaj.

21:17

Haradinaj thotë se e ka përkrahjen e Drenicës pasi është kandidat për president nga UÇK-ja

Bartësi i Listës së AAK-së, njëherësh kandidati për president nga kjo pari Ramush Haradinaj ka thënë se AAK-ja do të ketë rritje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Këtë deklaratë Haradinaj e ka bërë në emisionin Zgjedhjet në KOHË ku tha se partia e tij ka pasur 96 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2019 ndërkaq në këto zgjedhje, votat do të shtohen.

“Ne kemi pasur 96 mijë vota në zgjedhjet 2019. Ne mendojmë se do të kemi më shumë në këto zgjedhje. E dimë që është një situatë jo e lehtë në popull. E kemi respektuar dëshirën e qytetarëve në ofertën për ecje përpara”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se AAK-ja udhëheq në disa komuna të rëndësishme në Kosovë dhe se ka parë përkrahje të shtuar edhe në Drenicë për shkak të kandidimit të tij për president.

Sipas tij, kjo përkrahje vjen për shkak se ai do të jetë një president nga UÇK-ja.

“Ne qëndrojmë bukur fuqishëm në Pejë, kemi rritje edhe në Malishevë, Podujevë, edhe në Drenicë kemi rritje. Ajo ideja që presidenti të vijë nga UCK ja ju pëlqen më shumë atje sepse un jam i vetmi kandidat nga UÇK-ja.

21:11

Haradinaj: Programi ynë u kopjua nga partitë tjera

Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qytetarët gjatë kohës sa kanë qenë në pandemi, kanë pasur një fokusim më të madh në proceset që po kalon vendi.

Ai thotë se shihet që është një vetëdije e ngritur në sfidat që e presin Kosovën, sidomos në ekonomi.

Haradinaj thotë se përgjigje kësaj i kanë dhënë me programin i cili e trajton mirë ekonominë.

“Nëse flasim për siguri, situata vazhdon nga një gjendje ekzistuese që ka qenë edhe më herët por duhet të ngritët. Nëse flasim për mirëqenien ajo përcaktohet se çka do të ndodhë me ekonominë, ndërkaq politika e jashtme është e njohur. Nga një ekonomi që ka qenë në rritje tani ka rënë, kjo gjendje e bënë emergjente situatën. Fokusimi jonë duhet të jetë të ndërhyjmë që të mos bie më shumë ekonomia”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shtuar se kanë dalë të parët me këtë program dhe i njëjti është kopjuar nga të tjerët.

“Nëse i merrni me data e kohë edhe fjalën time hyrëse e kanë marrë partitë tjera, porse është normale. Nuk dallojnë më ato që thonë partitë, ato e kanë të qartë se pa e shti paranë e re, nuk mund ta bëjnë me rritje të taksave. E vetmja dalje është paraja e re”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shtuar se tentojnë për një partneritet financiar me një bankë, ku Kosova është bashkëpronare. Të tretin instrument ai thotë se e kanë paraparë bursën financiare.

Sipas tij, ideja është që të gjenden instrumente që janë përdorur nga shtetet tjera e që kanë rezultuar të suksesshme.