Arbëri

PSD-ja del kundër sloganit të VV-së, përleshet me Policinë

Partia Socialdemokrate ka dalë kundër sloganit të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit, “Krejt dhe drejt”. Sipas kësaj partie, Kosova po shkon drejt një autokracie me tendencë totalitare.

Në ndërtesën e Qeverisë, aktivistë të kësaj partie kanë vendosur shkrimin “Krejt dhe drejt = i gjithë pushteti sovjetëve” duke tërhequr paralele mes sloganit të VV-së dhe një parulle bolshevike.

Në një konferencë për media, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se slogani i Vetëvendosjes “Krejt dhe Drejt” duket si “diçka e re kundër të vjetrës”. Megjithatë, sipas tij, kjo është vetëm “në lexim të parë”.

“Në fakt asgjë më mirë se ky slogan nuk e paraqet Vetëvendosjen në thelb se çka është sot. Me këtë slogan, jo vetëm që s’është e reja, por edhe në mendësi është e vjetra, e në histori është një shekull e vjetër. Para një shekulli, i gjithë pushteti i sovjetëve përdorej në rrethana tjera por një shekull më herët e që s’dallon shumë edhe pse kanë ndërruar tërësisht rrethanat”, ka thënë ai duke akuzuar Vetëvendosjen se dëshiron që i gjithë pushteti të koncentrohet në një parti.

“‘Krejt pushteti sovjetëve’ ishte parullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t'u qendërzuar në fund në duart e një njeriu. I njëjtë është procesi këtu. Në emër të luftës ndaj regjimit të vjetër po na përvidhet një ‘shpëtimtar’. Ky shpëtimtar para pak kohësh ndërroi statutin partiak dhe mori kompetencat për vete; pastaj, mësynë presidencën dhe e shndërruan në zyre partie; në radhe ishte sulmi ndaj KQZ-së; pastaj erdhi slogani ‘krejt pushteti sovjetëve’ në versionin kosovar. Të gjitha për liderin suprem! Populli është një, vullneti i tij trupëzohet tek lideri suprem”, thuhet në një komunikatë të PSD-së.

Pas vendosjes së parullës, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës që është përleshur me aktivistë të PSD-së. Mësohet se kryetari i PSD-së dhe anëtarë të tjerë janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq në një njoftim të mëvonshëm të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.

Policia e Kosovës ka thënë se aktiviteti i PSD-së ka qenë i paparalajmëruar.

“Përkundër faktit që këtyre personave u është bërë e qartë nga policia se veprimet e tilla janë të palejuara, të njëjtit duke shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, me veprimet dhe sjelljet e tyre kanë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrës zyrtare. Si pasojë e veprimeve të lartcekura dy zyrtar policor kanë pësuar lëndime të lehta përderisa në objektin e Qeverisë janë vendosur grafite. Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit”, ka thënë në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

{gallery}