Arbëri

PZAP-ja sot vendos për ankesat e subjekteve politike që nuk u certifikuan nga KQZ

Të martën pritet të vendoset lidhur me ankesat e subjekteve politike të cilat nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pritet që gjatë ditës të publikojë vendimet për partitë të cilat janë ankuar ndaj vendimit të KQZ-së.

PZAP-ja ka pasur afat tre ditë për të vendosur për ankesat e KQZ-së. Pas publikimit të vendimit të PZAP-së partitë kanë afat një ditë për t’u ankuar në Gjykatë Supreme, e cila do të ketë po ashtu tre ditë deri në vendimin final. I gjithë procesi duhet të përfundojë më 31 janar, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate janë partitë më të mëdha të pacertifikuara. Të hënën KOHA publikoi komunikimin që KQZ-ja ka bërë me PZAP-në lidhur me ankesën e VV-së. Aty kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kishte propozuar certifikimin vetëm të kandidatëve që përmbushin kushtet ligjore, duke lënë jashtë pesë kandidatë të VV-së, përfshirë kandidatin për kryeministër, Albin Kurti.